Arsyet pse u lidhën me vonesë marrëdhëniet diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë

Arsyet pse u lidhën me vonesë marrëdhëniet diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë

10:17, 17/12/2023
A+ Aa A-

Ndriçim Kulla

Në 22 shtator  të vitit 1922, shpejt pas njohjes së Shqipërisë , presidenti amerikan Harding emëroi si ministër fuqiplotë në Shqipëri z. Ulysses Grant-Smith, i cili pasi mori miratimin në Senat, u paraqit para Këshillit të Lartë në Tiranë për të dorëzuar letrat kredenciale në 4 dhjetor 1922, ditë kur u akreditua në Shqipëri si përfaqësues diplomatik i SHBA.

Ndërsa Amerika veproi me shumë seriozitet pas dakortësisë në parim të marrëdhënieve diplomatike, Shqipëria, e cila kishte kërkuar me shumë këmbëngulje që të vendoste marrëdhënie diplomatike me SHBA, tani nisi një sherrnajë politike të brendshme, për atë se kush do të shkonte si ministër fuqiplotë në Ëashington. Aq e fortë ishte kjo sherrnajë saqë posti i ministrit fuqiplotë shqiptar në Ëashington mbeti bosh për katër vjet! Kjo sherrnajë nuk kaloi pa bërë bujë në kryeqytetin amerikan dhe në opinionin publik amerikan, pasi tani kemi parë se shtypi amerikan i ndiqte me vëmendje ngjarjet në Shqipëri që para se të krijohej shteti shqiptar.

Në gusht 1922 Shqipëria emëroi Mithat Frashërin si ministër fuqiplotë në Ëashington. Por qeveria shqiptare e tërhoqi këtë emërim pak kohë më vonë për shkak të kundërshtimeve të brendshme politike. Kjo ishte një vonesë që e kompromentonte shtetin e ri në sytë e opinionit publik amerikan dhe të qeverisë amerikane. Por Amerika që nga ajo kohë do të mësohej që t’ i falte Shqipërisë shumë gafa të tilla që vinin nga sherrnajat politike të brendshme.

Çuditërisht, SHBA, vendi që ishte vonuar në njohjen e Shqipërisë, u tregua shumë i shpejtë në njohjen e ndryshimit të formës së regjimit në vend nga republikë në mbretëri në 1928, kur Zogu u shpall mbret me këtë rast. Kjo gjë u bë shkak për një lloj habie në Europë, se SHBA ishte një vend me parime të forta republikane. Që më 1 shtator 1928, ditën kur Shqipëria u shpall mbretëri, ministri fuqiplotë amerikan në Tiranë Charles Hart i komunikoi Ëashingtonit se ndryshimi i formës së regjimit u bë në rregull dhe se populli do ta pranonte këtë ndryshim. 

Në 6 shtator 1928, Shqipëria i kërkoi SHBA njohjen e ndryshimit të formës së regjimit. Arsyeja e vonesës duket se ishte pasi Zogu nuk priste që Amerika republikane ta njihte shpejt ndryshimin në Shqipëri. Për këtë arsye Zogu duhet të jetë habitur shumë kur Presidenti amerikan Coolidge e uroi atë për shpalljen mbret, që para se Departamenti i Shtetit t’ i njoftonte Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në emër të qeverisë amerikane, njohjen e ndryshimit të formës së regjimit në vend. Telegrami i urimit i Coolidge për Zogun mban datën 13 shtator, ndërsa njohja e formës së regjimit iu njoftua nga Departamenti i Shtetit Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë në 15 shtator. Edhe kështu njohja amerikane erdhi shumë shpejt. SHBA u bë vendi i katërt që njohu ndryshimin e formës së regjimit që u bë në Shqipëri, pas Italisë, Greqisë, Hungarisë dhe Uruguajt. Haris Silajxhiç thotë se në arsyen e shpejtësisë me të cilën reagoi SHBA ndaj ndryshimit të formës së regjimit në Shqipëri ndikoi edhe eksperienca që Departamenti i Shtetit kishte tashmë lidhur me njohjen e parë të Shqipërisë në 1922, kur administrata amerikane reagoi me vonesë, gjë që rrezikoi interesat e SHBA në Shqipëri. 

Përsëri, njohja amerikane ka ardhur shumë shpejt për t’ u justifikuar me këtë argument.   Më shumë mundësi ka që qeveria amerikane të ketë menduar se për Shqipërinë ishte akoma herët që të behej një republikë. Me njohjen e shpejtë të formës së regjimit në 1928, SHBA më tepër ka dashur që të korigjojë njohjen e shpejtë që i bëri shpalljes së republikës shqiptare në 1925. Meqënëse SHBA kishte pasur simpati për qeverinë me prirje republikane të Nolit, për shkak të së kaluarës së tij amerikane, shumë vetë prisnin që SHBA ta vononte njohjen për regjimin e ri të Zogut që erdhi në pushtet duke rrëzuar me armë Nolin. Duket se kishte prirje të tilla në Ëashington, sepse Sekretari i Departamentit të Shtetit, Hjuz, në një telegram të 22 janarit 1925, pra të nesërmen e shpalljes së republikës në Shqipëri, thoshte “Nuk fitojmë ndonjë gjë duke e zvarritur çështjen e njohjes.”

Sidoqoftë qeveria amerikane vuri si kushte për njohjen e shpejtë, gjetjen dhe dënimin e vrasësve të dy amerikanëve në Mamurras, në 1924, si dhe miratimin nga parlamenti shqiptar të marrëveshjes së arritur që në 1922 mes dy qeverive për akordimin reciprok të statusit të vendit më të favorizuar në tregti. Qeveria shqiptare dha sigurime për këtë dhe në 2 shkurt, tre ditë pasi Ahmet Zogu u zgjodh President, duke qenë dhe kryetar qeverie, SHBA i njohu të dyja ndryshimin e formës së regjimit në Shqipëri dhe qeverinë e re.

Miratimi i kushtit të parë, marrëveshjes së kërkuar si kusht nga Amerika u vonua, me sa duket jo për faj të shtetit shqiptar, por sepse vetë amerikanët nuk donin që marrëveshja të miratohej nga parlamenti i cunguar i pararevolucionit të vitit 1924, që u rimblodh nga Zogu pasi ky erdhi në pushtet me armë. Marrëveshja u miratua nga parlamenti i ri shqiptar, i dalë pas zgjedhjeve që u mbajtën në vend në 1925.

Sa për kushtin e dytë, zbulimin dhe dënimin e vrasësve të dy amerikanëve në Mamurras, kjo mbeti një ngjarje e errët, që mund të ketë pasur edhe prapaskena politike, por qeveria amerikane e quajti të mbyllur këtë incident me dënimin e disa personave në Shqipëri si vrasës të amerikanëve. Krimi i Mamurrasit ka qenë padyshim incidenti i parë i rëndë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane Në Mamurras, më 6 prill 1924 u vranë dy qyetarë amerikanë, Robert Kolman dhe George De Long. Atëherë Ministri fuqiplotë amerikan në Shqipëri, Ulysses Grant-Smith u shpreh se ky krim se ai e largoi Shqipërinë 1000 vjet pas në kohë, në sytë e botës. 

Ngjarja u bë shkak për një krizë serioze në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, ndonëse të padeklaruar. Sidoqoftë, Haris Silajxhiç duket se ka të drejtë kur thotë se:

Ka shumë mundësi që kjo ngjarje të ketë qenë shkaku kryesor që Grant-Smith kërkoi që në këto momente kritike, të dërgohej në Durrës një destrojer amerikan. 

Madje qeveria amerikane dërgoi në Durrës dy anije lufte amerikane, në vend të një që kishte kërkuar ministri fuqiplotë amerikan. Pas ardhjes së anijeve luftarake amerikane në Durrës, Grant-Smith iu tha diplomatëve të huaj në Tiranë se:

Anijet amerikane të luftës pas kësaj do të vijnë më shpesh në portet shqiptare dhe do të rrinë në Detin Adriatik më shumë se ç’ kanë bërë deri tani.

Ngjarja kriminale bëri bujë në Amerikë dhe u pasqyrua gjerësisht nga shtypi atje. Ç’ ishte më e keqja Shqipëria nuk kishte akoma një ministër fuqiplotë në Ëashington që të komunikonte me shtypin dhe madje nuk kishte hapur as legatën. Përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë ishte konsulli në Neë York, i cili nuk kishte rangun dhe autoritetin e duhur për të folur në emër të vendit në një rast të tillë.    

Sa për autorësinë e krimit ka mendime të ndryshme. Në atë kohë në Shqipëri qeveria dhe opozita shkëmbyen akuza për ngjarjen kriminale, duke i thënë njëra-tjetrës se ishte për të dhe se e kishte kryer krimin për të nxjerrë përfitime politike. Sipas qeverisë, opozita ishte përgjegjëse për vrasjen pasi me të donte t’ i thoshte botës se qeveria nuk e ruante dot rendin publik. Opozita e akuzonte drejtpërdrejt Ahmet Zogun që kishte dhënë dorëheqjen si kryeministër në shkurt, por që akuzohej se e kontrollonte qeverinë e kryesuar nga vjehrri i tij, Shefqet Vërlaci, se e kishte bërë krimin që t’ i thoshte botës se për t’ u vendosur rendi public në vend duhej ai si dorë e fortë. Bernd J. Fischer thotë që nëqoftëse vrasja ka qenë e porositur politikisht, më shumë mundësi ka që ta ketë bërë Ahmet Zogu:

Ndonëse të dy këta udhëtarë mund të jenë qëlluar gabimisht lidhur me ndonjë gjakmarrje, rreth vrasjes së tyre nuk është hedhur kurrë dritë e plotë për të mësuar se cilët ishin përgjegjësit e këtij veprimi. Natyrisht, qeveria akuzoi opozitën, duke thënë se ky akt bëhej me synimin për të diskredituar në sytë e vëzhguesve të huaj dhe atyre të brendshëm. Peshkopi Noli dhe partia e tij e shihnin këtë akt si një përpjekje të Zogut për të treguar se ai ishte i vetmi njeri që mund të siguronte rendin në Shqipëri. Dhe në të vërtetë Zogu ishte i pari që përfitoi prej këtij episodi të pafat. Menjëherë pas vrasjes së dy turistëve amerikanë, qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. 

Fischer ka prirje që të mbajë anën e opozitës antizogiste të kohës, sepse ai nuk merr parasysh edhe argumentin tjetër. Qeveria e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme pas akuzave të forta të opozitës se qeveria e kishte turpruar vendin para botës duke e lënë rendin public në atë gjendje kaotike sa vriteshin miqtë e huaj. Por për krimin pati edhe teori të tjera sikur amerikanët ishin vrarë gabimisht, pasi vrasësit e ngatërruan makinën e tyre me atë që prisnin të vinte. Joseph Sëire shkruan në librin e tij për Shqipërinë:

U tha se njeriu që u arrestua kishte deklaruar se viktimat i kishin marrë për disa zyrtarë shqiptarë që pritej të kalonin në kohën kur u krye krimi. 

Sëire e ka fjalën që në atë rrugë duhet të kalonte Ahmet Zogu me automobile dhe atij i ishte zënë pritë për ta vrarë, por vrasësit ngatërruan automobilin. Pietro Kuaroni, diplomati italian i cili ka shërbyer në Shqipëri, në librin e tij, e sqaron më hollësisht këtë që thotë Sëire:

 Rreziku i keqkuptimit ishte në fakt rreziku i vetëm që kërcënonte të huajt nga fakti i gjakmarrjes: në përgjithësi ata konsideroheshin jashtë rregullave shqiptare dhe viheshin nën një lloj garancie kolektive të popullit. Megjithatë, gabimi ndodhte ngandonjëherë, ashtu siç u ndodhi atyre dy fatkëqinjve, dy amerikanë të rinj që kishin lënë anijen e tyre në Durrës, për të përshkuar Shqipërinë me veturë, duke menduar të hipin përsëri në të në San-Xhovani de Medua. (Shëngjin- N.K.) Fati deshi që ata të kalonin disa minuta përpara veturës së Zogut, atë kohë president i republikës: ata u vranë në vend nga disa njerëz, vënë në pusi në pyllin e Lezhës, me qëllim që të kryenin mbi Ahmet bej Zogun një nga hakmarrjet e panumërta që rrinin pezull mbi kokën e tij. Incidenti na qe relatuar dhe shpjeguar me hollësi nga shoferi malazias i të dy fatkëqinjve njëfarë Luka Barba. Çdo herë që kalonim me të në vendin e krimit, ai e fillonte tregimin e vet me këto fjalë: Pa shih, e shikon, pikërisht këtu më kanë vrarë…”

Meqënëse diplomacia italiane në Tiranë, atëherë ishte shumë e informuar për ngjarjet në vend, ky shpjegim i Kuaronit se dy amerikanët u vranë gabimisht në një pritë të ngritur për Zogun, duhet marrë në konsideratë baras me të tjerët. Meqënëse automobilët që kalonin ishin shumë të rrallë, kriminelët qëlluan automobilin e parë që panë duke menduar se ai nuk mund të ishte vecse ai i Zogut.

Ngjarja sidoqoftë shërbeu edhe që amerikanët të tregonin ndjenjat e tyre fisnike ndaj Shqipërisë. Joseph Sëire thotë për këtë:

Qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshironte të kërkonte një dëmshpërblim të madh, por zonja De Long kundërshtoi në mënyrë bujare, duke kërkuar vetëm që t’ i ktheheshin sendet personale të bashkëshortit. Edhe të afërmit e Koulmanit qenë po kaq bujarë dhe incidenti nga pikëpamja ndërkombëtare u mbyll. 

Sigurisht që qeveria amerikane kishte detyrim që në një rast si ky të mbronte interesat e qytetarëve të saj në radhë të parë, por këtu këta shkëlqyen me fisnikërinë e tyre, duke ia kursyer shtetit të varfër shqiptar pagesën e një dëmshpërblimi që do ta rëndonte buxhetin e tij edhe kështu problematik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco