Rrëzoi qëllimisht avionin për të marrë më shumë klikime, Youtube-ri përfundon në burg

Rrëzoi qëllimisht avionin për të marrë më shumë klikime, Youtube-ri përfundon në burg

11:01, 05/12/2023
A+ Aa A-

YouTuber-i 30-vjeçar Trevor Daniel Jacob është dënuar me gjashtë muaj burg nga një gjykatë në Amerikë, pasi organizoi një aksident duke rrëzuar avionin e vogël me të cilin udhëtonte, për të marrë më shumë shikime në mediat sociale.

Ish-atleti olimpik që mori pjesë në Lojërat e Soçit në snowboard pranoi se e kishte rrëzuar me dashje avionin e tij në nëntor 2021 në pyllin Los Padres të Kalifornisë.

Videoja, të cilën Jacob e ka xhiruar duke përdorur disa kamera të montuara në pjesë të ndryshme të avionit, si dhe një videokamerë dhe një shkop selfie, e tregon atë duke u nisur nga aeroporti i qytetit Lompoc përpara se të hidhet nga Taylorcraft BL-65 i tij rreth 35 minuta më vonë.

Sipas prokurorëve, video "I Crashed My Airplane" e publikuar më 23 dhjetor 2021 u filmua për të promovuar një sponsorizim me një kompani.

Hetimi nisi edhe falë disa përdoruesve të rrjeteve sociale, të cilët pasi kishin parë aksidentin kishin vënë re disa elementë të çuditshëm.

Sipas tyre Jacob mbante veshur një parashutë, nuk kishte bërë asnjë përpjekje për të ulur avionin drejt një zone të sigurt dhe kishte marrë një aparat fotografik dhe një shkop për selfie që ndodheshin pranë tij kur u hodh nga avioni.

YouTuber-i akuzohet gjithashtu se ka gënjyer hetuesit dhe një inspektor sigurie të Administratës Federale të Aviacionit. Për më tepër, ai ishte përpjekur gjithashtu të pengonte hetimet duke zhdukur rrënojat e avionit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco