Dhjetë vjet pa shkrimtarin dhe përkthyesin e shquar Amik Kasoruho

Dhjetë vjet pa shkrimtarin dhe përkthyesin e shquar Amik Kasoruho

10:53, 04/05/2024
A+ Aa A-

Sot mbushen dhjetë vjet nga ndarja nga jeta e shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit të shquar Amik Kasoruho. Ai lindi më 20 nëntor 1932 dhe vdiq më 4 maj 2014.

Amik Kasoruho lindi më 20 nëntor të vitit 1932 në Tiranë. Në moshën 17 vjeçare u arrestua nën akuzën e agjitacion propagandës kundër pushtetit popullor. Në vitin 1951 i pushkatuan pa gjyq babanë, Qemal Kasoruhon me akuzën e përfshirjes në incidentin e shpërthimit të bombës pranë Ambasadës Sovietike.

Pasi vuajti dënimin në burgun e Burrelit për 7 vite rresht, u internua bashkë me familjen në fshatin Gosë, të qytetit të Kavajës. Gjatë regjimit komunist punonte si punëtor krahu, apo ndërtimi, gjeometër etj.

Pas përmbysjes së sistemit ai emigroi në Itali ku jetoi deri në vitin 2009. Gjatë kësaj kohe u mor me shkrime, përkthime etj.

Ka sjellë në shqip vepra të shkrimtarëve të huaj si Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O’Brian, John Selby.

Ai është autor i veprave si “Midis burgut dhe dritës”, “Çmimi i një ëndrre”, “Fluturimi i gjatë i një ore”; “Një ankth gjysmëshekullor – Shqipëria e Enver Hoxhës”, “Pa mëri - Publicistika e jetës sime”.

Në vitin 2012, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Amik Kasoruhos Urdhrin "Nderi i Kombit" me motivacionin: “Personalitetit të shquar të kulturës kombëtare, që si përkthyes i jashtëzakonshëm, si shkrimtar i rrallë, publicist, poet e artist, e pasuroi atë, duke i dhënë vlera e cilësi të reja. Intelektualit atdhetar, që u bë ndër shembujt më domethënës të qëndresës së papërkulur ndaj persekutimit të diktaturës komuniste, duke treguar fitoren e dinjitetit njerëzor dhe integritetit moral, e duke u bërë pikë referimi në historinë e kulturës kombëtare”.

Amik Kasoruho ndërroi jetë më 4 maj 2014.

Atit tem
Tash srish fëmi e ndiej un vedin prore
kur mundi m’fal at jetë që ti bore
o Ati im që u trete
e rri mendon e nis e flas me vete.
Si, kur kërthi, mbërthye më kish kllapija;
deh kthen e bjena gazin prap t’u shpija!
A s’lodhe tue kundrue
ndër qjeje amshimi at hir që nuk u shue?
O kish ta dishe lotin që s’loton
si sytë verbue i a pati nan’s, si vlon
kjo zemër e tyt biri
kah rri e vron si nalt ndër qieje hiri.

Më duaj
Kur dallga të qetohet
Dhe në breg të mbetet gjurma e vrullit
Që nga larg e solli deri aty,
Më kujto!
Kur rrezja e fundit e diellit
T'i lëbyri sytë e etur për dritë,
Mendomë
Kur të vijë të të rrethojë
Të ftohtit e natës dhe ti t'ndjesh nevojë
Që të të ngrohë dikush,
Kujtomë.
Kur kujtesa do të jehojë tinguj të harruar
Fjalësh dashurore,
Që kan'mbetur të ngrira në kohë,
Kur një lëmsh i hidhur të të ngjitet lart në grykë
Dhe të të duket se po të merr frymën,
Kur zemra t'të rrahë
Si të dojë të dalë jashtë parzmit, si zog që përpëlitet,
Kujtohu për atë që të pati Hyjni
Dhe të deshi si mund të duhet një grua.

Image

Image

Image


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco