Shfaqet filmi dokumentar ‘Zojë’, si e sheh e bija dramën pa fund të nënës në diktaturë

Shfaqet filmi dokumentar ‘Zojë’, si e sheh e bija dramën pa fund të nënës në diktaturë

12:01, 22/11/2023
A+ Aa A-

Premiera e filmit dokumentar “Zojë, një rrëfim për fatin e dhimbshëm të gruas në diktaturë, u shfaq mbrëmjen e së martës datë 21 nëntor 2023 në kinema “Millenium”, para një publiku të zgjedhur, duke përcjellë emocione dhe mesazhe të forta mbi përballjen tonë me të shkuarën komuniste.

“Zojë”, një realizim i ndjerë, nga skenarisjta, studiuesja dhe gazetarja Luljeta Progni dhe regjisori Pandeli Çeço, trajtoi një histori sa personale për skrenaristen Progni, (pasi ishte historia e nënës së saj Zojë Progni e rrëfyer në vetë të parë, ) po aq edhe universale mbi fatet e shumë grave, nënave dhe vajzave, që janë përballur me dinjitet dhe i kanë sfiduar me forcë e vetmohim, regjimet totalitare, në të gjitha kohërat.

Filmi dokumentar “Zojë”, u mbështet nga Fondacioni Konrad Adenauer në Shqipëri KAS Albania dhe fondacioni “Kujto”, përfaqësuesit e të cilëve, në fjalët përshëndetëse para premierës e vunë theksin mbi rëndësinë e trajtimit të këtyre temave delikate nga e shkuara e diktaturës në Shqipëri.

Skenaristja e këtij filmi dokumentar Luljeta Progni tha se nuk ishte e lehtë për të, të trajtonte këtë temë gati autobiografike dhe realizonte këkëtë vepër, ku personazhi kyç ishte nëna e saj.
“Zoja, fliste rrallë për vuajtjet e saj. Gjatë viteve të fundit u përpoqa disa herë ta intervistoja, por nuk munda të kem një intervistë shteruese. Shpesh ajo përlotej që pas pyetjes së parë dhe nuk fliste më. Dhe ndonjëherë kur fillonte të tregonte, mikrofoni nuk ishte aty. Por ashtu siç i di unë ato vuajtje, disa prej të cilave edhe i kam përjetuar, mendoj se duhet t’i dinë edhe të tjerët. Kam mësuar prej shumë historive të tjera, se Zoja nuk ishte e vetme. Shumë gra të tjera kanë vuajtur dhe janë përballur me persekutimin e diktaturës komuniste, kanë vajtuar fëmijët e tyre, kanë mbajtur gjallë shpirtin e bashkëshortëve dhe djemve nëpër burgje dhe e kanë mbrojtur familjen me shumë sakrifica”, tha Progni.

Premiera e filmit dokumentar “Zojë” erdhi në vazhdën e një varg aktivitetesh me fokus të drejtpërdrejtë kujtesëm, që fondacioni “Kujto”, ka realizuar gjatë këtij viti, duke nisur që në muajin shkurt me dokumentarin “Mama”, duke vijuar në maj me dy aktivitete kushtuar 50-vjetorit të Revoltës së Spaçit : ekspozitën me skica grafike “Jeta në Spaç” dhe koncertin memorial “Tingujt e kujtesës”, për të vijuar në shtator me dokumentarin “Revolta e Spaçit”, e më tej në Nëntor me dokumentarin “Sytë e shpirtit”, kushtuar Osman Kazazit, duke e përmbyllur kalendarin e aktiviteteve të këtij viti me filmin dokumentar “Zojë”. 

ImageImage

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco