'Bajroni do ishte i pari  në një panteon të të huajve që promovuan Shqipërinë dhe shqiptarët'

'Bajroni do ishte i pari në një panteon të të huajve që promovuan Shqipërinë dhe shqiptarët'

10:36, 11/11/2023
A+ Aa A-

Nga Ndriçim Kulla

 “Cherchez le poete!” -  Kërkoni poetin dhe pyeteni për Shqipërinë dhe shqiptarët

Këto fjalë i ka thënë një francez shumë i njohur në kohën e tij, i cili vizitoi Shqipërinë në 1935 dhe shkroi një libër për vendin tonë. Dhe këto fjalë i ka thënë për një anglez shumë të njohur edhe sot, i cili vizitoi Shqipërinë një shekull e ca para këtij francezi.

Shkrimtari dhe gazetari i njohur francez i periudhës mes dy luftrave botërore, Valery Larbaud, i cili vizitoi Shqipërinë në 1935, në librin e tij “Java jonë shqiptare”, të botuar pikërisht atë vit, në Francë, thotë se shqiptarët dhe Shqipëria duhet t’ i jenë shumë mirënjohës Lord Bajronit dhe mikut të tij Hobhaus, të cilët i quan si frymëzuesit dhe nxitësit e udhëtarëve modernë që vizituan Shqipërinë: “Meritat e Lord Bajronit dhe të Hobhauzit janë me të vërtetë të mëdha. Nuk mjaftonte të kishe vetëm mjete financiare për udhëtimin, por duhej të kishe edhe guxim moral dhe fizik, si dhe një sy artisti. Dhe për të nxjerrë e paraqitur një Shqipëri të shprehur qartësisht para pjesës tjetër të Europës duhej të ishe Lord Bajroni dhe fino a un certo punto Hobhauzi. Edhe lavdia dhe nderimet që u bëhen dy diplomatëve francezë, duke quajtur rrugë me emrin e tyre, Rruga “D’ Eturnel de Konstan” dhe Rruga “Zhysten Godar”, sepse ata kanë mbështetur fort pavarësinë e Shqipërisë gjatë rregullimeve të kufijve që u bënë pas Luftës, më 1920, zë fill me Lord Bajronin dhe Hobhauzin. Kështu ndodh gjithnjë në çështjet politike: cherchez le poete.

Është një fat i madh për shqiptarët që një njeri si Lordi Bajron erdhi në Shqipëri që në fillim të shekullit XIX, kohë kur Europa kishte nisur të interesohej shumë për të njohur Lindjen, duke përfshirë dhe pjesën europiane të Perandorisë Osmane.

Bajroni erdhi në Shqipëri në kohën e duhur për të shërbyer si referim për të gjithë ata të huaj që do të vinin pas tij në Shqipëri, ose do të studionin Shqipërinë. Meqënëse ai ishte shumë i njohur në Europë dhe në botë, ato që shkroi ai për shqiptarët i kishin lexuar të gjithë ata që kishin treguar interes për Shqipërinë në dy shekujt pas tij, si udhëtarë, si studiues, ose si njerëz që kishin shkuar me shërbim në Shqipëri. Lordi Bajroni u kthye dashur pa dashur në një asset politik për shqiptarët, në një antidot (kundërhelm) të shqiptarëve ndaj të gjithë shpifjeve që shkruanin për ta të huajt dashakeqë. Tanimë atyre të huajve që donin të shpifnin kundër shqiptarëve, iu duhej të përballeshin jo thjesht me shqiptarët, por me një titan botëror si Lordi Byron. Për këtë arsye Valery Larbaud ka shumë të drejtë kur thotë se në çështjen kombëtare shqiptare, në raport me Europën: cherchez le poete! Pra, Lordin Byron!

Tërë kombi ynë duhet t’ i jenë shumë mirënjohës Bajronit, sepse ai duke qenë shumë i famshëm, i bëri një publicitet të madh Shqipërisë kur shkroi për të. Bajroni u ndje aq shumë shqiptar pas vizitës në Shqipëri, saqë çdo president në Shqipëri duhet të kishte joshjen t’ i akordonte dekoratën “Nder i Kombit”ose një vlerësim të barabart me të !

Bajroni iu përgjigj pyetjes “Kush janë shqiptarët?” në atë mënyrë që shqiptarët duhet të ndihen krenarë. Këtu kam parasysh vargjet e njohura të poetit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nga mënyra se si shkruan Bajroni ai le të kuptohet se shkeli në Shqipëri me paragjykime të këqija ndaj shqiptarëve për shkak të fjalëve që kishte dëgjuar për ta. Por mendimi i tij ndryshoi kur ai u njoh vet me shqiptarët dhe ndodhi e kundërta, dhe në fakt ai u mbush me admirim dhe entusiazëm për shqiptarët.

Arsyeja e dashurisë me shikimin e parë të Bajronit me Shqipërinë dhe shqiptarët ishte se ai u befasua kur gjeti në këtë kënd të Perandorisë Osmane, në atë kohë në dekadencë, një organizëm shtetëtor çuditërisht funksionues, të krijuar nga Ali Pashë Tepelena, me zyrtarë të të gjitha llojeve që e kryenin detyrën e tyre me përgjegjshmëri, dhe me nënshtetas të cilët silleshin fisnikërisht. Dhe këto janë përshtypjet e shprehura të Bajronit.

Sipas tregimit që bën vetë Bajroni, ai erdhi në viset shqiptare në 1809. Në atë kohë nuk kishte shtet shqiptar, viset shqiptare ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Por Ali Pashë Tepelena kishte arritur të ndërtonte një pashallëk që kishte tiparet e shtetit dhe që i mahniste të huajt si Bajroni me rregullin që sundonte atje. Dhe të mos harrojmë se Bajroni ishte edhe një shtetar, anëtar i Dhomës së Lordëve, në atë kohë me kompetenca shumë më të mëdha se sot.

Në 40-50 rreshta Bajroni përshkruan se sa mirë funksiononte “shteti” i Ali Pashës, dhe sa e qytetaruar ishte popullsia e tij. Anija me të cilën udhëtonte Bajroni u përfshi në një furtunë pranë bregdetit dhe për pak u mbyt. Anija u ndihmua që të ankorohej në breg, udhëtarët e saj u mirëpritën nga autoritetet vendase, u strehuan si miq nga vendasit në shtëpitë e tyre, ku u pritën me të gjitha të mirat. Bajroni mendoi se kjo bëhej që t’ i merrej si shpërblim një shumë e mirë parash për shërbimin dhe ai ishte gati të paguante bujarisht pasi shprehet vërtet shumë i kënaqur nga shërbimi që iu bë. Por pagesa iu refuzua duke iu bërë e ditur se bëhej fjalë për mikpritje jo për biznes. Që nga ky çast Bajroni ra në dashuri me shqiptarët. E vetmja gjë që i kërkoi mikpritësi i tij i parë në tokën shqiptare, një zyrtar i vogël vendor që e priti me të gjithë të mirat në shtëpinë e tij, ishte një vërtetim që kishte pritur këtë të huaj të famshëm, ndoshta që t’ u provonte të tjerëve se kishte pritur të huajin e famshëm.

Të gjitha këto vërtetojnë se “shteti” i Ali Pashë Tepelenës, edhe në ato kushte, funksiononte ndoshta me ato standarde që ne jo gjithmonë i arrimë sot. Bajroni udhëtoi nëpër pashallëkun e Aliut, pa u prekur nga askush, dhe vetë pohon se kështu u përgënjeshtruan ato që thuheshin se këto vise qenë të mbushura plot me hajdutë që grabisnin udhëtarët. Dashuria e Bajronit për Shqipërinë dhe shqiptarët, ka si shkak, këtë duhet ta mbajmë parasysh mirë, përvojën e tij me një shtet që funksiononte mirë për kohën dhe kjo ishte meritë e Ali Pashës dhe e shqiptarëve të tij.

Edhe sot e kësaj dite i huaji më i famshëm që ka vizituar Shqipërinë dhe ka lavdëruar vetitë e mira të karakterit të shqiptarëve, mbetet padyshim George Gordon Byron (Bajron), me vargjet e famshme të poemës së tij “Childe Harold”. Në Tiranë do të duhej të kishte një monument të Bajronit, në piedestalin e të cilit të ishin gdhendur vargjet e tij:

Sidmos vargjet e Bajronit të marra nga Çajld Haroldit mund të ishin edhe si guidë për Mendimin Shqiptar. Në këtë këndvështrim Bajroni mund të quhet edhe si një lloj udhërrëfyesi për Mendimin Shqiptar, të cilit i tregoi objektivin që duhet të kishte, përmirësimin e karakterit të njeriut shqiptar.

Nga vetitë e mira të shqiptarëve, Lordi Bajron, veçon trimërinë, besën, nderin, mikpritjen, të gjitha këto cilësi aristokratike. Në vargjet e Çajld Haroldit Bajroni vëren se individi shqiptar i pajisur me këto veti të mira nuk ishte individ shoqëror. Ky individ shqiptar bashkohej nën urdhrat e një prijësi, për të shkuar në luftë vetëm në emër të besës ndaj tij që ishte çështje nderi për të. Kuptohet se nga kjo luftë shqiptari duhet të kishte përfitime, duke bërë plaçkë. Kështu autoriteti i të parit, që i thërriste në luftë, bëhej më i fortë. Shqiptarëve që nga ajo kohë iu pëlqente që t’ i recitonin këto vargje të Bajronit, por e vinin theksin te vargjet ku shprehen vetitë e tyre të mira, dhe jo te vargu ku Lordi Bajron bën vërejtjen se vetitë e shqiptarëve duhet të ishin më të arrira. Ai habitej që këto veti të shqiptarëve nuk janë bërë më të arrira, më të përkryera, duke u bërë cilësi të individit shoqëror, që ka ndërtuar shtetin e tij. Ndoshta Lordi Byron nuk do të habitej për këtë nëqoftëse do të kishte njohur edhe historinë e Shqipërisë. Por sidoqoftë Byroni kishte të drejtë kur thoshte se vetitë e mira të karakterit ishin të mangëta.

Në qoftëse vërejtja e mësipërme e Bajronit do të shprehej me më shumë fjalë do të thuhej se vetitë e mira të shqiptarëve nuk janë kurorëzuar për shkak se nuk janë vënë në shërbim të një ideali. Për fat të keq të huajt sot nuk janë kaq entuziastë për ne sa në kohën e Bajronit, dhe kjo gjë duhet të na bëjë të reflektojmë thellë. Ne sot jemi shumë më tepër të shkolluar se shqiptarët që takoi Bajroni dikur, e njohim botën shumë më tepër se ata, por a kemi po ato veti të mira që pa Bajroni te ata, i cili megjithatë kishte edhe vërejtje për to?

Mendimtarët shqiptarë të kohës së sotme që kërkojnë shtegun drejt objektivit të mendimit shqiptar duhet të dëgjojnë këshillën e francezit të mençur: Cherchez le poete! Kërkoni poetin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco