VIDEO/ Ekspozita ‘Abel’, kronika e një morti në emër të lirisë, Gazmend Leka rrëfim tronditës në ‘Odeon’

16:50, 28/10/2023
A+ Aa A-

Ekspozita “Abel” e piktorit Gazmend Leka e çelur në Galerinë e Arteve të Bukura (FAB) zë fill nga konflikti biblik i dy vllezërve Kainit dhe Abelit. Piktori trajton në ciklin e fundit piktorik një kohë të errët që kulmon me luftën shumëvjeçare në Kosovë. I ftuar në emisionin “Odeon” në Syri Tv, piktori rrëfeu ngacmimet për realizimin e ekspozitës.

“Ekspozita bashkon një Gazmend piktor dhe një Gazmend qytetar. Doja të bëja një ekspozitë në memorie të atyre, që janë zhdukur, që janë vrarë, që kanë humbur, por edhe për të rigjallëuar dhe një herë kujtesën e njerëzve”, u shpreh piktori.

Pyetjes së gazetares Egla Xhemalaj:

“Ndjeshmëritë vijnë kaq të bukura të shpalosura mrekullisht në telajo, që nga ciklet e tjera piktorike “Noe”, “Kaloi në grua” apo “Dhe yjet rrinë e vështrojnë” figura njerëzore ravijzëohet përmes të mirës dhe të keqes, se ju i keni shumë qejf kontrastet në pikturat tuaja, e megjithatë ndjeshmëria e parë sapo hyrja në Galerinë FAB ka qenë ajo e një dhimbje të thellë për ata që janë shuar, për ata që sot i shohim thjesht si numra, kurse vrasësit akoma nuk janë identifikuar. Një nga ngacmimet kryesore ka qenë ajo e luftës që po zhvillohet te shqiptarët e Kosovës, te të ngjashmit tanë, a mos është ky cikël piktorik më shumë se kaq, a mos përbën konfliktin e brendshëm të njeriut në raport me veten pastaj edhe me tjetrin për të marrë një sferë më të madhe e për t’i parë në rrafshin botëror këto konflikte e luftrat që po pushtojnë botën?”

Piktori u shpreh: Kjo që the është shumë e vërtetë. Po ta marrësh në mënyrë banale unë bëra mbetjet e luftës, se çfarë sjell lufta, cilat janë pasojat e luftës pavarësisht se në ndonjë pikturë e kam identifikuar se vëmendja kryesore është raporti i serbëve me popullin shqiptar të Kosovës. Titulli përfshin njeriun që vret njeriun, vëllain që vret vëllain. Ekspozita u ngjiz shumë thjeshtë. Mendova të bëja një ekspozitë për sakrificën, ato motive që herë pas here më kanë dalë në krijimtarinë time.

 Më qëllon që një simpatizante e pikturës time zonjusha Rudina Jasini vjen në studio dhe më kërkon të shoh pikturat. Më tregoi që ka parë ekspozitat e mija dhe na paskësh qenë nga grupi i avokatëve të atyre katër djemve të UÇK-së që janë në Hagë, mbron Zotin Selimi. Unë u bëra kurioz, i thashë që të më tregonte se si ishin nga shëndeti, se nuk e di çfarë kanë bërë ata . Unë di që kanë marrë pjesë në atë betejë të tmerrshme. Ajo filloi të më tregonte, ndërkohë që më tregonte, mua më dilte para figura e Vuçiç. Thoja si a mundësi që ky që është kriminel, ky që është shërbëtori i Millosheviçit, si mund të mbretërojë ky edhe t’ia përkëdheli kokën gjithë Europa dhe të dënohen të tjerë. Kjo nuk është e drejtë, s’është proporcionale! Ky njeri nuk ka kërkuar akoma falje për atë që i bënë shtetit tonë. Mbas kësaj vjen ajo që këta nuk të njohin fare, që mund të sulmojnë kur t’u dojë qejfi, si ata fëmijët rrugaçë e tekanjoz. Ajo fliste dhe mua më dilte para ai. Ky lloj kontrasti mua më shpërtheu në kokë. E mbaj me4nd atë çast. U tensionova shumë. I thashë Rudina dil jashtë se e gjeta çfarë do bëj. Mora telajon dhe pastaj fillova pikturën e parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco