Më 16 gusht 2019 u shua gazetari, publicisti dhe pedagogu Fatos Baxhaku

Më 16 gusht 2019 u shua gazetari, publicisti dhe pedagogu Fatos Baxhaku

08:46, 16/08/2023
A+ Aa A-

“Atdheu është ajo gjë që të mungon sa herë që thua me krenari ‘I am Albanian’.”

Si sot, më 16 gusht 2019, u shua gazetari i spikatur, historiani, publicisti dhe pedagogu, Fatos Baxhaku.

Përmbi këto cilësime, Baxhaku ishte atdhetari i përveçëm, që përmes penës së tij autentike përshk(r)oi Shqipërinë thuajse pëllëmbë për pëllëmbë, portretizoi gjindjen dhe si një mentor për të qenë, la pas arketipe të gjinisë së reportazhit të shkruar dhe televiziv. Ngase i çmonte skrupujt, në vend të lamtumirës na kushtoi një doracak të vyer mbi atdhedashurinë (*thënia cituar në krye është e shkëputur prej këtij udhëzuesi).

Përgjatë vjetëve 1982-1986 ndoqi studimet në degën e Historisë, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë. Duke nisur nga viti 1986 e deri në vitin 1992, punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Në intervalin e vjetëve 1993-1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Më tej, pati detyrën e kryeredaktorit në televizionet private kryesore.

Baxhaku ishte autor dhe bashkëautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpa e Vjetër” (Digitalb), si edhe i shumë dokumentarëve. Në fushën e botimeve, publikoi “Shoqëritë e Masave Fisnore të Shqipërisë së Veriut”, “Gur” (reportazhe), “Guidë për Shkodrën”, “Në Mirditë & rreth e rrotull”, “Roje”, “Çadra e kuqe: histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX –XXI”, “Gra të të përgjithshme” 2014 (me bashkëautore Klodiana Kapo) dhe “Në emër të Noes”, botuar një vit pas ndarjes së tij nga jeta.

Më poshtë, paraqitet korrespondenca mes Institutit të Historisë me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për shfrytëzimin nga Baxhaku të dokumenteve lidhur me temën: “Historiku i coptimit të trojeve shqiptare 1876-1881”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco