IN MEMORIAM: Peter Bartl, historiani i Shqipërisë, pushoi së qëni i vdekshëm

IN MEMORIAM: Peter Bartl, historiani i Shqipërisë, pushoi së qëni i vdekshëm

11:34, 01/04/2022
A+ Aa A-

IN MEMORIAM PETER BARTL

"Bota shkencore dhe intelektuale albanologjike ndahet me njërin ndër studiuesit e mëdhenj që i përkushtuan jetën intelektuale dhe angazhimin social hapësirës kompakte shqipfolëse dhe diasporës historike shqiptare" - Nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë

Nga Bardhyl Demiraj

Peter Bartl pushoi së qeni i vdekshëm. Në mbrëmjen e dt. 29 mars mbylli sytë për të fundit herë në moshën 84 vjeç historiani i Shqipërisë. Bota shkencore dhe intelektuale albanologjike ndahet me njërin ndër studiuesit e mëdhenj që i përkushtuan jetën intelektuale dhe angazhimin social hapësirës kompakte shqipfolëse dhe diasporës historike shqiptare.

Peter Bartl u lind në Cottbus (Gjermani) në vitin 1938, ku ndoqi edhe shkollën fillore dhe formimin gjimnazial. Pas shpërnguljes në Republikën Federale të Gjermanisë vijoi studimet universitare në fushat e historisë së Europës Lindore dhe Juglindore, sllavistikë dhe turkologji fillimisht në Göttingen e më vonë në Mynih (LMU) pranë historianit të njohur Georg Stadtmüller, sllavistit Alois Schmaus, turkologut Kiesling etj.

Kërkimi shkencor dhe aktiviteti universitar si asistent i Stadtmüller-it përcaktuan qysh në fillim fokusimin e tij në historinë dhe kulturën e hapësirës kompakte shqipfolëse e në botën shqiptare në përgjithësi, duke pasur gjithëherë si sinor orientues tezën e mësuesit të vet, sipas të cilit „Shqipëria është pika e Arkimedit, e cila na ndihmon të depërtojmë në historinë dhe parahistorinë e Gadishullit Ballkanik“ (Stadtmüller).

Peter Bartl i qëndroi besnik e me bindje kësaj teze, duke e zgjeruar atë edhe me mozaikun e historisë së kulturës shpirtërore ndër shqiptarë, histori dhe kulturë kjo, me të cilën u lidh shpirtërisht deri në fund të jetës.

Ngjizjen ndërdisiplinore ndërmjet historisë dhe kulturës etnike së bashku me gjuhën shqipe, të cilën e përvetësoi mahnitshëm falë ngulmit dhe bashkëpunimit me kolegun dhe mikun e vet Martin Camaj, e dëshmojnë në vijimësi veprat e tij të para, me të cilat plotësoi edhe detyrimet e karrierës profesionale, ndër to:

"Die albanischen Müslime zur Zeit der nationalen Unabhängigkeitsbewegung“ (1968 = Myslimanët shqiptarë gjatë lëvizjes për pavarësi, Tiranë 2006),

"Der Westbalkan zwischen der Spanischen Monarchie und dem Osmanischen Reich“ (1974 = Ballkani Perëndimor midis Monarkisë Spanjolle dhe Perandorisë Osmane).

Pika kulmore në aktivitetin e tij intelektual janë përpos veprës "Albanien – vom Mittelalter bis zur Gegenwart“ (1995, 1999, serb. 2001 etj. = Shqipëria – nga mesjeta deri në kohën tonë), kryevepra e tij madhore në pesë vëllime "Albania sacra“, ku rroket material dokumentar-arkivor për gjithë hapësirën administrative kishtare që mbulonin prej shek. XVI-XVII e deri në fund të shek. XIX Arqipeshkvitë dhe Ipeshkvitë e Durrësit, të Lezhës, të Sardës dhe Sapës, të Pultit e të Shkodrës, që pasojnë dy botime të mëparshme me dokumentacion arkivor prej Arqipeshkvisë së Tivarit nën drejtimin apostolik të Vincenz Zmajevich-it (1702-1723).

Kolegë të tij përgatitën së fundi edhe një vëllim të posaçëm me artikuj të shkencorë të botuar në revista, periodikë të njohur dhe përmbledhje vëllimesh gjithfarësh përgjatë një periudhe 35-vjeçare aktiviteti shkencor: "Peter Bartl. Die Albaner in der europäischen Geschichte: Ausgewählte Aufsätze“ (edd. – B. Demiraj & R. Elsie: Albanian Studies, Bd. 28, 2016 = Shqiptarët në historinë europiane. Artikuj të përzgjedhur).

Peter Bartl organizoi punën dhe mbledhjen e kujdesshme të bibliotekës më të pasur shkencore albanologjike në Perëndim të Alpeve të Europës, e cila pas daljes së tij në pension u dhunua rregullisht prej burokracisë së institucioneve të kulturës në Landin e Bayern-it, prej mospërfilljes së aparatit administrativ të Universitetit "Ludwig-Maximilian“ dhe orientimit të ri që përjetoi Instituti i Studimeve të Europës Lindore dhe Juglindore, duke u linçuar për disa vjet në bodrumet e Südost-Insititut, deri sa mori më vonë rrugët e eksodit tragjik drejt Vjenës, ku ka humbur gjithçka që e mbulonte dikur me zulmë dhe nderim.

Peter Bartl mori përsipër për dhjetëvjeçarë të tërë drejtimin e Albanien-Institut të Mynihut, duke e shndërruar atë në një qendër të mirëfilltë të takimeve akademike-shkencore me një radius të gjerë jehone dhe respekti për kërkimin albanologjik në Mynih dhe Perëndim të Europës.

Bartl drejtoi në funksionin e botuesit dhe të kryeredaktorit radhojën "Albanische Forshungen“ me qendër në Mynih, duke motivuar dhe mbështetur botimin e 47 (+ 4) monografive të natyrës albanologjike që mbulojnë fushat e historisë, gjuhësisë dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi.

Peter Bartl ka qenë bashkëpunëtor i palodhur i një numri të madh serish, botimesh periodike dhe revistash në Gjermani, Itali, ku mund të dallojmë, ndër të tjera revistën „Shêjzat – le pleiadi“ (në vitet 60′-70′ të shek. të kaluar – E. Koliqi) dhe „Shêjzat – le pleiadi. Series Nova“ (A. Ndreca), sikurse „Hylli i Dritës“ (A. Ndreca, më vonë V. Demaj).

Peter Bartl ishte edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës. Ai është nderuar, ndër të tjera, prej Presidentit të Republikës së Shqipërisë me "Medaljen e Mirënjohjes“ dhe prej Universitetit Urbaniana (Romë) me „Medaljen e Artë“.

Një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, që do të gëzojë gjithëherë respekt e nderim prej gjithkujt që është pjesë dhe ruan kontakt me botën shqiptare./www.akad.gov.al
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco