'Jemi të gjithë nga pak Sirano de Berzherak, qofshim hundëmëdhenj, fytyrshtypur, me flokë a pa flokë...'

'Jemi të gjithë nga pak Sirano de Berzherak, qofshim hundëmëdhenj, fytyrshtypur, me flokë a pa flokë...'

12:59, 31/03/2022
A+ Aa A-

Nga Josif Papagjoni

"Këto fjalë ia kushtoj posaçërisht aktorëve të komedisë “Edmond”…"

Mbaj mend se e kam lexuar komedinë e famshme “Sirano de Berzherak”, ndofta para 40-50 vjetëve. Në një sfond të kuq, plot dritë, kopertina e librit konfiguronte hundën e madhe të Siranosë, kapelen e tij me pendë prej fisniku, dhe një krenari që kullonte gjithkund. Ishte, në fakt, portreti i aktorit Kostant Koklen në rolin e Siranosë. Dhe më ka mbetur ende në tru shija e mirë e leximit për kalorësin-poet, dyzimin, “dështakun” ndaj femrave por një shpirt i zjarrtë, i jashtëzakonshëm, që të ngazëllente me patoset e tij lirike.

I shëmtuari i bukur, shfrimet lirike derdhur në letrat e dashurisë së fshehtë, hundmadhi fisnik, i “padukshmi” i “dukshëm” ose fytyra në tjetër fytyrë, një këngëtar pasional i dashurisë dhe i ndjenjës së ëmbël erotike. Ja, këto më kishin mbetur në mendje. Dhe atë kohë kur e pata lexuar, bëja “kritikën e kritikës”: Pse quhet komedi kjo vepër? Çfarë ka këtu për të qeshur veç hundës së madhe të Berzherakut?!

Dhe në vend që të qeshja, unë veçse shijoja vargjet dhe poemën e dashurisë së atij njeriu të mirë, bujar, të ëmbël, aventurier i thekur, paçka se me një fytyrë të shëmtuar dhe hundën e madhe qesharake. 

Më pas e shijova kontrastin që fshihej tek i jashtëzakonshmi De Berzherak. Në bulb vepra ishte përnjëmend komedi, sepse kishte brenda kundërshtinë midis bukurisë së shpirtit dhe shëmtisë së fytyrës. Dhe udhës së përthellimit të kësaj kundërshtie, më shumë në mendjen time kishte mbetur ai tisi poetik i njeriut të ngopur në ligjërimet dhe përvuajtjet turbulluese të dashurisë, le ta quajmë njeriu SHPIRTBUKUR, jo njeriu i ngujuar në etikën përtharëse të konvencionit etik dhe rëndomtësisë. Njeriu i madh, jo njeriu i vogël. Andaj dhe Sirano, sido që nën qesëndinë e humorit, bartte të Madhërishmen e zemrës njerëzore. Prandaj ai triumfonte.

Sa njerëz jo të bukur ka kjo botë, por që janë përkundrazi shpirtbukur. Dhe ngaherë triumfon zemra, jo syri.

Komedinë lirike “Sirano de Barzherak” e pat shkruar një poet i ri, Edmond Rostand quhej, bashkëkohës me komediografin e njohur të fundshekullit XIX, Xhorxh Fejdo.

Siranonë e luajti në kryeherë një nga aktorët më të mëdhenj të historisë së aktrimit francez, Kostant Koklen; 410 herë, pareshtur, tek e njëjta skenë e teatrit “Theatre de la Porte Saint-Martin”. E më pas kjo komedi u luajt mijëra herë në teatrot franceze e ato të botës duke u kthyer në një visar të dramaturgjisë franceze, më e luajtura vepër në historinë e këtij teatri, referencë e përjetshme e testimit artistik rrjedhës së viteve.

Nga të rrallët e interpretimit të Sirano de Berzherak pas Koklenit më 1897, në fundshekullin XX ka qenë aktori i mirënjohur Zherar Depardie.

Dhe ja, historinë e shkruarjes së kësaj komedie e risolli Alexsis Michalik me komedinë “Edmond”, në ecejaken mes jetës së Rostandit si autor i saj dhe jetës së personazhit të tij të famshëm Sirano de Berzherak, përfshirë jetën e aktorëve dhe vënien në skenë të komedisë.

Kur regjisorët e kësaj shfaqjeje, Andia Xhunga dhe Indrit Çobani, dy ish studentë të mi, dashuruar auditorëve dhe sot një çift i ëmbël (të cilët i kam për zemër qysh viteve të studimeve), pata dëshirën të kishin sukses. Dhe patën sukses.

Salla e priti me duartrokitje të zgjatura. Unë i citova disa ide dhe cilësi letrare të komedise “Sirano de Berzherak”, të cilat rivijnë tashmë ndryshe, të përthyera, në komedinë “Edmond”, nën një narrativë lirike e komike mbi historinë e vënies së saj në skenë.

Ka dhe diçka të veçantë kjo shfaqje: kohën e përgatitjes. Qenë vite pandemie. Rrezik infektimi. Vdekja shëtiste udhëve të Tiranës dhe kryeqyteti ishte kthyer në një gërmadhë, me rrugët e shkretuara dhe ngrehinat e heshtura si shtatore të përbindshme e shkretane. Tmerri rrinte çdokund. Sirenat e ambulancave ulërinin. Dhe bash kësaj kohe Covidi, aktorët bënin prova për komedinë “Edmond”.

Bënin sot, i linin nesër, i rifillonin pasnesër. Dhe prandaj më duhet, më së pari, të lavdëroj këtë shpirt sakrifice dhe dashurie të pamat të regjisorëve dhe aktorëve ndaj artit. Ishte një lojë me rrezikun. Një sfidë. Por, ama, shfaqja doli para publikut, edhe pse vonoi dy vjet.

Dhe unë i heq kapelën këtyre artistëve, të gjithëve sa janë, Vasjanit dhe Lulëzimit, Helidonit, Lulit, Laertit, Ilirdas, Arbenit dhe Flaurës, Myzaferit që na kumtoi se çështë teatri, çështë fuqia përtëritëse e tij, Gencit dhe Inës, Besmirit dhe Gentit, si dhe gjithë të tjerëve që na e sollën historinë plot hoka të ngjizjes dhe lindjes së “Sirano de Berzherak”.

Ani pse komedia “Edmond” është një vijë paralele e personazheve të “Siranosë…” me heronjtë e njëmendët kur ajo u mpiks, vepra vetë ngjan si një histori e mëvetshme.

Ja që ia vlen të mësojmë edhe rreth “historive” e veprave të mëdha të teatrit duke gërshetuar përlindjen e tyre letrare me jetët dhe historitë e artistëve realizues, tanimë në një optikë të personalizuar fatesh dhe marrëdhëniesh; të mësojmë krejt aventurën e pashoq të vënies në skenë të kësaj kryevepre me tekstin që ngjizej fletë pas flete e ditë pas dite, në ankth e në vrap e sipër, e përzier me jetën e vetë aktorëve, me tekat dhe huqet e tyre, me dashuritë dhe ambiciet, me vullnetin dhe egot, me sponsorët dhe drejtorët.

Dhe pastaj ai monopat i çuditshëm krijimi i vetë Rostandit si poet, kthyer e gjitha në një gazmend lumturues. Kjo them se erdhi brenda një energjie dhe ndezullie aktoriale që na fali hare, situata komike argëtuese, karaktere, ritëm të lartë, fuqinë hipnotike të krijimit dhe të dashurisë, energji dhe dinamizëm në mizanskenë, ndonjëherë edhe përshpejtim por që nuk prishte shumë punë. S’duhet harruar edhe përkthimi i shkrimtarit të njohur, Nasi Lera.

T'i hyje në sallë dhe skenografia e Genc Shkodranit të çonte diku në teatër me stendat e dekoruara anash, sikundër në një mjedis historik të epokës sa rilindëse aq dhe të vonshme, kur komedia “Sirano…” u vu në skenë.

Aktorët ishin vendosur të gjithë në sheshin skenik, bisedonin me njëri-tjetrin, lëviznin, si të na thoshnin neve, spektatorëve: Jemi pjesë e historisë, por edhe e juaja, sepse jemi bashkë, o miq të teatrit, dhe duam t’iu flasim kësaj here përjashtimisht për teatrin, për një kryevepër, “Sirano de Berzherak”, e cila teksa u shfaq si premirë në vitin 1897 spektatori e duartrokiti mbi një orë, pareshtur, aq sukses pati. Ju faleminderit që erdhët!…

Aktorët rrinin në skenë si në një pikturë duke na kujtuar kohën që kish kaluar, por edhe gati për interpretim, pra si pjesa e gjallë e teatrit, që frymon pikërisht përmes shpirtit të aktorëve, fuqisë së transformimit të tyre psiko-fizik në personazhet gjegjëse. Dhe kur salla ishte gati të ndiqte aktin sipër në skenë, ja ku ia behte gjithë historia se si u shkrua vepra. E gjitha nën hirin e poezisë, por e stërpikur doemos me ngazëllimin që na japin situatat komike mes aktorëve-personazhe, loja e tyre, gjestet, fjalët. Sepse njeriu, pas shpikjes së miteve dhe fesë, magjisë dhe ritualit, fjalës dhe muzikës, valles dhe lojës, krijoi një “agorë” tjetërlloj: Teatrin.

Shfaqja m’u duk shi si një “agorë” për spektatorët, me simbiozat e habitshme: përvojë-filozofi, ndjeshmëri-meditim, veprim-afektim, magji-njëmendësi, narrativë-ligjërim poetik.

Jo se ishte personazhi kryesor, por Lulzim Zeqja na e dha dramaturgun e ri Edmond Rostand, këtë shpirt poetik dhe vargun e tij 12 rrokësh, në ankthin e bukur e ndezullues të krijimit, sikundër qe edhe historia e krijimit të figurës historike të Sirano de Berzherakut.

Bri tij Helidon Fino m’u duk më pranë karakterit të komedisë me ojnat e tij jo vetëm foljore, por edhe fizike, në marrëdhënien e tij dashurore, i paaftë për fjalë të zjarrta por me tërësej një shpirt i ndezur. Ai që do të luante Siranonë ishte aktori me përvojë Vasian Lami, i saktë në veprimin e tij aktorial, por mbase jo mirëfilli i formatit të komedisë.

Laerti Vasili krijoi një nga rolet më mbresues, duke luajtur jo vetëm me fjalorthin e frengjishtes (aspak si element i jashtëm a spekulativ), përkundrazi duke e bërë të vetën në krejt sjelljen e tij, me shkathtësinë, një përshpejtim të qëllimtë të së folurës, brufullimat etj.

Genci Fuga ndriti me “budallallëkun” e birit të Koklenit, që nuk merrte vesh fare, i gjori, nga aktrimi, por që më pas çlirimi që pati teksa provoi seksin e bukur si mashkull, i dha hov e vërtetësi rolit të tij.

Më tej më la mbresa Myzafer Zylfia me rolin e biznesmenit zezak, që veç dinjitetit dhe shpirtit të paepur për të realizuar një synim jete, i dha patos ligjërimit të tij se çfarë është teatri dhe pse na është i domosdoshëm ai! Sigurisht edhe aktorët e tjerë kishin krijuar figurat e tyre, dhe së toku krijuan një ansambël të njësuar dhe afektiv.

Në një shesh me dekore e rekuizitë të “lëvizshme”, e cila vendosej nga aktorët episod pas episodi, me pak objekte, shfaqja ruajti dinamizmin e lëvizjes dhe e energjizoi atë.

Kostumet e Laedia Hajdarit na e sollën epokën e fundshekullit XIX dhe diku-diku qenë të stilizuara në dobi të ecurisë për ta sjellë subjektin ca më pranë nesh, sikurse muzika e Endri Sinës i gjegjej tonit emocional të veprës.

Dua të shpreh edhe një mbresë të fundit, tashmë jo e lidhur me komedinë “Edmond” në Teatrin Kombëtar.  Unë e kam parë këtë komedi edhe në një film dhe, të them të drejtën, mbresat e mia ishin ku e ku më të bukura e më të përkryera nga imazhet filmike, interpretimi i aktorëve, sidomos i Rostandit dhe Koklenit.

Do më thonë: E ç’krahason dhe ti një film aq të sukseshëm e të njohur me një shfaqje të teatrit shqiptar, ku jo vetëm hapësira e veprimit ngushtohet. E di, dhe prandaj e përmenda.

Afërmendsh filmi ishte më lart dhe më i përpunuar në shumëçka, por ama edhe shfaqja jonë “Edmond” më fali ngazëllim. E njihja subjektin, dhe pra e kisha shijuar më herët atë, prandaj dhe në konceptin regjisorial të çiftit Xhunga-Çobani receptimi im si spektator u adresua te gjetjet e regjisorëve, ritmi i lartë, trajtimi i karaktereve, aktrimi dhe artistët e tjerë realizues.

Gjersa shfaqja ma dha shijen e artit, humorit, poezisë dhe ngazëllimit, domethënë se ajo shkoi përtej pëlqimit tim si kritik.

Është e 20-ta shfaqje a më shumë dhe duartrokitjet e ngrohta të spektatorëve, brohorimat e tij, qenë për mua testi i njëmendët i sukesit.

Me intuitë e ndjej se kjo shfaqje do të vazhdojë më tej dhe do të falë jo thjesht kënaqësi estetike, por dhe një dashuri më shumë për teatrin; është një ngashnjim i teatrit në kohë rreziku e sëmundjeje, ftesë e përhershme e tij për të qenë pranë spektatorit në artikulimet e jashtëzakonshme që jep për ata…

Duke dalë prej shfaqjes, tek unë ia behu mendimi: Jemi të gjithë nga pak Sirano de Berzherak, qofshim hundëmëdhenj, fytyrshtypur, me flokë a pa flokë, dashnorë të thekur pas teatrit a bukuroshë, të gjithë vrapojmë drejt një shporte ëndrrash; jemi shpirtra poetikë, që në mbrëmje pas interpretimit në skenë mblidhemi në shtëpitë tona, me gratë, burrat, fëmijët e familjet tona, të lodhur nga shëmtia e ditës, shpinakërrusur nga hallet, nga fshikullimet e mërzive, dështimeve e mërive, e megjithatë teatri na mbledh…

Dhe sa lind dielli, rishtazi marrim pak dritë nga poezia e kësaj “agore”, nga ëndrrat që teatri na kumton.

Dhe rifutemi në magjinë e skenës, për të ftuar në seancat tona spirituale mijërat e spektatorëve që mbushin sallën, duke i ftuar në një dialog sa të perëndishëm aq dhe njerëzor, sa mes mugujve të trillit aq dhe në dritësimin e së vërtetës.

Këto fjalë ia kushtoj posaçërisht aktorëve të komedisë “Edmond”…


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco