Mish derri përzjerë me kocka pule - Nga Artan Fuga

Mish derri përzjerë me kocka pule - Nga Artan Fuga

07:34, 30/03/2019

Më ishte shkrepur për salçiçe me mish pule.

Vetëm me mish pule, me asgjë tjetër. Ashtu është një punë se përse nuk i desha me mish viçi, ose derri. Edhe për shijen time personale, edhe për arsye beteje kundër kolesterolit.
Të shkretat pula, thuaj, se çfarë heqin nga unë. Edhe peshqit. Me kafshët e tjera kam marrëdhënie shumë miqësore. Madje mund të bëj edhe koalicion me to për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, konsensuale.
U futa në një njësi relativisht të madhe tregtare dhe me sy kërkova andej nga raftet e salçiçeve dhe të kremviçeve. Një shitëse ndodhej nja dhjetë metra më tutje në punë të vet. Shiste ullinj dhe djath nja dy grave.
Kërkova me sy se mos në ambalazhin e llojeve të ndryshme të paketave me kremviçe ose salçiçe të kishte ndonjë fotografi a vizatim gjeli ose pule që të më orientonte, por hiç. Asgjë.
U zhgënjeva. Prisja ndonjë gjel në fotografi gjysëm lakuriq, ose ndonjë pulë duke bërë ndonjë vezë. Të dy të shëndetshëm, që të më orientonin se çfarë mishi kishte brenda salçiçeve, por ishte e pamundur.
E mirë thashë, nuk e njihkan marketingun me semiotikë vizuale që ka avantazhe të mëdha.
Sigurisht kanë përdorur kodin tekstual.
Ktheja nga pas paketat me salçiçe – kremviçe dhe ishte e pamundur të lexoja sepse gërmat ishin si mikrobe të padukshme. Unë nuk kisha syzat me vete, ato që përdor nga afër, me të cilat lexoj Niçen, Hegelin, apo edhe tekste të tjera të vështira.
Po kjo pikë e zezë! – mendova i mërzitur, këta me këto shkronja zëre se na kërkojnë të vimë në dyqan me mikroskop me vete.
Me ankth kërkoja të lexoja, por e pamundur. Hajde respekt për klientin hajde! – thashë me vete dhe ndjeva se po më rrotullohej tavani i dyqanit.
Iu drejtova shitëses nga larg. O zonjë me mish pule janë këto? Ajo pasi picëroi sytë, bërtiti : Po, po, pa merak!
Kot! Nuk e besova. Ajo po merrej me klientë të tjerë në sektorin e saj.
Aty pari erdhi një djalosh kokoroç, buf, i mirë, roja e brendshme e dyqanit.
Aman mo ma lexo pak mish pule kanë brenda këto?
Djaloshi, shpirt njeriu, erdhi rreth meje, u afrua pak më shumë se distanca normale sociale që shitësi duhet të mbajë me klientin, dhe m’u përgjigj:
Ce o xhaxhi, ti mendon se po shkrojti kjo këtu mish pule, brenda mish pule ka o?
Më erdhi t’ja plas gazit. Ai as e dinte se po minonte mallin që duhej ta promovonte.
E di, mo, e di, iu përgjigja, por ta nisim me rradhë, E para, me thuaj çfarë lexon aty, e dyta, është a e besoj unë.
Dhe nisa të bëja edhe pak gallatë me të : Se unë o njeri i besoj çdo gjëje që shkruhet, çdo gjëje që më thonë, e ha cdo gënjeshtër unë, ja kështu jam, naiv o burrë.
Ti qofsh o xhaxhi, si i beson asaj që thonë, si i beson asaj që shkruhet. Këtu nuk i zihet besë as asaj që shkruhet në gazeta, o xhaxhi, ti u besoj shpjegimeve mbi ambalazh.
Qeshte kolopuçi tridhjet e pesë a dyzetvjeçar. Moshë e rrezikshme për t’u budallalleps pak! Kështu thoshte Niçja të paktën.
Ore i hante Niçja salçiçet me mish pule ? – më vajti në mend, por nuk fola.
Djaloshi nisi të lexojë:
Ja mo xhaxhi çfarë thotë kjo këtu : Salçiçe me mish pule përzjerë me mish derri!
Stoooop! Cfarë the mo? Kanë përzjerë mish pule me mish derri!
Po e o, xhaxhi, po çfarë të keqe ka o? Ce o i ze besë këtyre që shkruhen ti?
Prapë ai.
Si mo kanë përzjerë mish kafshësh me mish shpendësh. Pse o ujq jemi ne që të na propozojnë salçiçe me mish pule përzjerë me mish derri. Po, vazhdo, vazhdo!
Ja o xhaxhi, ce mërzitesh, thotë : Kujdes ziheni ose gatuheni në temperatura të larta para se ta hani!
Mooossss, edhe këtë e shkruan?
Ce do gënjej unë o? Ce o tiranas jam unë të mashtroj të tjerët?
Jo, mo, jo, vazhdo, por kjo tregon se brenda mund të ketë mikrobe që duhen përvëluar me zjarr mo! Dhe mua më pëlqen t’i ha salçiçet rrugës, duke shkuar në shtëpi, më ka mbetur zakon nga fëmijëria, mos ma merr për keq.
Po pse çfarë janë salçiçet, mollë të blera në rrugë, që duhet t’i laj më parë? Nejse vazhdo, po kjo tjetra?
Jo bre xhaxhi, kjo tjetra nuk është për ty. Aty shkruan salçiçe me mish derri përzjerë me mish lope!
Ua, thash, kjo qenka për tolerancë fetare, bashkim – vëllazërim fesh të ndryshme. As ata që hanë derrin, por nuk hanë lopën, hindutë, as ata që hanë lopën por nuk hanë derrin, hebrenjtë, etj., nuk mund ta blejnë. E targetojnë klientelën këta apo si?
Nuk më interesonin më salçiçet, por mënyra sesi bëhet marketingu, trajtohet klienti, si trajtohen produktet tona ushqimore, që më tërhiqte tani. E harrova fare urinë.
Ja kjo këtu bre xhaxhi është për ty! Mish lope përzjerë me mish derri, përzjerë me mish pule të coptuar mekanikisht!
Cfarë mo çfarë, teveqel? Mish pule i ndarë nga kockat mekanikisht!!! Cfarë domethënë kjo mo? Mekanikisht? Po këta paskan bërë masakër me pulat mo?
E bre xhaxhi, film me horror, si ato të paketës së digitalbit. Kanë marrë pula të gjalla bre, i kanë goditur me shufra hekuri, mekanikisht në kokë, për t’i vrarë bre! Ose i kanë rrjepur dhe pastaj i kanë zjerë pak, dhe ashtu i kanë hedhur në rrotat e zetorëve ose eskavatorëve për t’i coptuar mekanikisht, mundet edhe i kanë shtypur me rul o xhaxhi! Tallej ai, dhe shtoi:
Ca nuk bëhet o xhaxhi! Do i blesh o!
Jo, jo lëre, faleminderit, u përgjigja, të ha salçiçe me mish pule të coptuar mekanikisht, përzjerë me mish derri!!!
E o, ja thotë edhe se pasi ta gatuash në furrënaltë, atëhere t’a hash, se përndryshe po të zunë zorrët krimba, nuk mban njeri përgjegjësi, shkruhet se pjesa prej cipe të hollë që mbështjell mishin e pulës të coptuar mekanikisht përzjerë me mish derri dhe mish lope, pra pjesa e jashtme e salçiçes edhe mund të hahet!
Ja o kshu lexon, për kok të mamasë!
Si mo, si? Pra, supozohet se mund të ishin salçiçe që të hanim atë që ka brenda, duke i hequr pjesën prej cipe që e mbështjell???
A kjo po, pra nuk qenkan mbështjellë me qime nga bisht gomari! Se unë do të doja, kremviçe me mish pule të masakruar mekanikisht, përzjerë me mish derri dhe mish lope, mbështjellë me qime bishti gomari, ku mbështjellësja mos hahej dhe që për ta gatuar të shkoja në Elbasan, për ta pjekur në furrënaltë.
E bre xhaxhi, mos i merr seriozisht ato që shkruhen, të thashë, fute në gojë, llupe dhe mos pyet për asgjë, mos u bëj zvezek, bre! E në daç ndryshe, bre, shih njëherë te dyqani më tutje bre, aty ku shiten telefona celularë!
Ika drejt shtëpisë me gjashtë kosa Lufra në dorë, duke përsëritur pa pushim:
Salçiçe me mish pule të ndarë mekanikisht, përzjerë me mish derri dhe mish lope!
Tamam si në një leksion multifetarizmi, ose një film horror

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco