Tahiri e pranon: Të arrestuarit për drogë janë hallexhinj, jo trafikantë

Tahiri e pranon: Të arrestuarit për drogë janë hallexhinj, jo trafikantë

22:26, 10/10/2016
A+ Aa A-

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka pranuar se pjesa më e madhe e 248 të arrestuarve për kultivim droge në vend janë hallexhinj dhe jo trafikantët.

Këtë pohim Tahiri e ka bërë në studion e emisionit ‘Top Story’, i cili u shpreh se pjesa më e madhe e tyre janë njerëz me halle dhe probleme, të cilët i kupton por nuki mbështet në këtë veprimtari të paligjshme. Ndërkohë, ashtu siç ka akuzuar edhe më herët opozita, trafikantët e drogës janë të lirë.

Duke diskutuar për raportin e Guarda di Finanza për kultivimin e kanabisit në Shqipëri, Tahiri vazhdoi të insistonte me justifikimin e rritjes së orëve të fluturimit për mbikëqyrje nga ajri, për të mbuluar rritjen e kultivimit e drogës 5-fish gjatë këtij viti. 

Pjesa nga intervista në Top Story:

Sokol Balla: Në fjalën tuaj të ditës së premte, për herë të parë përmendet fjalën problem, një gjë që nuk e kishit pohuar deri më atë ditë. Gjithmonë, Kryeministri juaj dhe jua e mohonit pas eleminimit të problemit të Lazaratit, para të cilit kanabisi dhe mbjellja e tij në Shqipëri ishte në fakt një problem. Jeni dakort që sot është kanabisi një problem?

Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm: Kjo Qeveria e ka pranuar që në ditën e parë të punës së saj që Shqipëria ka një problem me kultivimin e kanabisit. Nuk e kemi fshehur. Nuk kam asnjë droje ta them publikisht që Shqipëria ka një problem, ashtu sic ka çdo vend që është në përballje të vazhdueshme nga kjo lloj paligjshmërie. Shifrat e GDF e konfirmojnë në mënyrë zyrtare, Shqipëria para 2013 ka patur një problem të madh të cilin nuk e ka adresuar, ndërkohë që pas 2013 ka një problem, ndonëse më të vogël që po e adreson me të gjitha kapacitetet tona.

Sokol Balla: Kur thoni problem i vogël çfarë referoni, sepse e thënë në shifra nuk duket edhe aq problem i vogël?

Saimir Tahiri: Për ta bërë më të qartë, sipas Guardia Di Finanza, Shqipëria në 2013 kishte 323 Ha, nga këto vetëm 7 përqind shkatërroi policia, ndërkohë që këtë vit Guardia Di Finanza konstatoi se janë 210 Ha, pra më pak , rreth 35 përqind më pak dhe policia shkatërroi 99.8 përqind. 

Sokol Balla: Ka një diferencë tek shifrat që ju thoni sepse 323 përfshin Lazaratin. Pa Lazaratin kanë qenë 14 ose 17 hektarë. Pra po flasim për një gjë që ju e keni zgjidhur, pra Lazaratin dhe për këtë keni marrë edhe lëvdatat e mjaftueshme, por flasim për 213, pra për një shtim eksponencial të parcelave jashtë Lazaratit. 

Saimir Tahiri: Shifrat e GDF kërkojnë një interpretim unik dhe jo interpretim të ngurtë të shifrave. Në 2013, hapësira e monitoruar është 361 hektarë, nga të cilat 323 janë të kultivuara me kanabis, nga 323, 319 janë vetëm në Lazarat. Kjo do të thotë që shumica dërrmuese, 99 përqind e monitorimit është fokusuar në Lazarat, është kjo arsyeja pse 25 misione fluturimi gjithsej, ose 59 orë nuk kanë gjetur parcela jashtë Lazaratit. Por unë kam bërë publike edhe në Parlament raportet sekrete të policisë, ku shkruhej qartësisht çdo cep i Shqipërisë ku ishte gjetur kanabis. Në vitin 2016, janë dyfishuar orët e monitorimit, janë 105 orë monitorimi me avionë. Janë të shtrirë 42 misione me mbi 100 orë fluturimi. Hapësira e monitoruar është 506 hektarë...

Sokol Balla: 506?! Prap i referohemi vetëm 17 përqind të territorit dhe këtë e thotë GDF, nuk e them as unë dhe as zoti Basha. 

Saimir Tahiri:  506 hektarë, nga të cilat 230 janë të kultivuara dhe të shkatërruara janë 99.8 përqind e tyre. Ndërkohë, në 2013 policia shkatërroi 7.5 përqind. Nëse me pak orë monitorim të fokusuar në Lazarat konstatoheshin 323 hektarë dhe policia shkatërronte 7.5, sot me dyfishin e orëve të fluturimit, me autonomi të plotë për oficerët e GDF që të fluturojnë në gjithë Shqipërinë, me teknologjinë 100 përqind të përmirësuar, ne kemi 213 hektarë të kultivuar prej të cilave policia shkatërron 99.8 përqind dhe kjo është hera e tretë që Policia shkatërron mbi 99 përqind të parcelave të gjetura. Nuk po i them këto shifra për justifikim apo krenim. Unë besoj që kemi një problem me kanabisin, por...

Sokol Balla: Përse nuk është pranuar ky problem në mënyrë “të përulur” gjatë gjithë këtyre muajve gati më shumë se një dy vitesh që vazhdon ky debat, asnjëherë nuk është pranuar që ka problem. Gjithmonë është thënë jo nuk ka problem. Praktikisht, situata nuk qënka kaq e mirë, as kaq problematike dhe as kaq shumë nën kontroll...

Saimir Tahiri: Unë mendoj të kundërtën.

Sokol Balla: Si mendon të kundërtën kur këto të dhëna i referohen 17 përqind të territorit? Çfarë ndodh me 83 përqind të territorit tjetër?

Saimir Tahiri: 83 përqind e territorit është qytete, lumenj, liqene, male dhe fusha ku mbillet kulturë normale bujqësore. Është shumë e qartë analiza që bëjnë ekspertët italianë dhe Guardia di Finanza lidhur me zonat e rriskut dhe hapësirat ku potencialisht mund të kultivohet kanabis. Unë nuk di kur kjo qeveri të mos e ketë pranuar këtë problem. 

Sokol Balla: Ju thatë që problemi mbaron pas Lazaratit.

Saimir Tahiri: Unë e kam thënë në këtë studio që nuk është një problem vetëm i policisë, që nuk zgjidhet në një ditë dhe madje nuk është problemi fillestar. Problemi real është varfëria, papunësia, padrejtësia dhe pabarazia. Këto janë problemet në themel që ne duhet të adresojmë dhe pastaj paralelisht edhe kanabisin. Ne kemi thënë që është një problem pavarësisht se është më i vogël krahasuar me qeverinë e kaluar. Sot flasim për një fenomen që është produkt i disa problemeve të tjera që ne kemi trashëguar për më shumë se dy dekada. 

Sokol Balla: Cilat janë këto probleme?

Saimir Tahiri:  Unë nuk e quaj dot qytetarin e varfër të zonave më të thella të Shqipërisë as trafikant, as kolumbian siç bën opozita, pasi për shkak të varfërisë ai shkon në ngasje për të mbjellë kanabis me të cilat çon nëpërmendje që mund të zgjidhë hallet e veta ekonomike.

Sokol Balla: Pra këta 248 të arrestuarit që thotë raporti i GDF janë të gjithë hallexhinj?

Saimir Tahiri: As atë që shkon për të punuar në një arë kanabis për të zgjidhur hallin që ka me punësimin nuk e quaj dot trafikant apo qytetar të republikës së drogës. Për mua janë qytetarë shqiptarë me 1001 halle mbi supe, që 20 vjet nuk ja ka zgjidhur as politika dhe as pushteti. Unë këta i kuptoj, por nuk i mbështes. U bëj thirrje që të rikonsiderojnë mënyrën e jetesës sepse nuk është kurrë zgjidhje as për varfërinë, as për papunësinë, as për pabarazinë që kemi. Nuk kuptoj kurrë të gjithë ata që trafikojnë, shfrytëzojnë dhe shpërndajnë drogë nëpër rrugët e Shqipërisë, ashtu siç nuk kuptoj cilindo intelektual të 3 km/katrorë që i ka fryrë bilbilit të legalizimit të kanabisit duke çuar në mendjen e njerëzve mesazhin e gabuar, që ndoshta legalizohet.

Sokol Balla: Kur ju nuk arrini si qeveri ta zgjidhni këtë si problem, ndoshta legalizimi është zgjidhja?! Këta 400 autorët, 248 të arrestuarit tuaj, këta çfarë janë?

Saimir Tahiri:  Pjesa më e madhe janë njerëz që kanë marrë përsipër këtë sipërmarrje të paligjshme. 

Sokol Balla: Hyjnë tek kriminelët apo tek hallexhinjtë?

Saimir Tahiri: Tek kultivuesit.

Sokol Balla: Tek hallexhinjtë!

Saimir Tahiri: Tek kultivuesit që janë njerëz të cilët në një mënyrë apo tjetër, unë nuk i kam hyrë analizës së kushteve ekonomike të seciit, por janë njerëz që kanë patur ngasje për të shkelur ligjin për kultivimin e paligjshëm të kanabisit. Jo pak prej tyre janë edhe pjesa sipërore e këtij aktiviteti të paligjshëm që nxisin financiarisht apo trafikojnë kanabisin. Di të them me siguri që duhet të bëjmë një ndarje të problemit për t’i shkuar në themel.

Sokol Balla: Këtë thotë edhe opozita, që të arrestuarit nuk janë kapot, por hallexhinjtë. Dhe ja ku jeni ju sonte të thoni të njëjtën gjë siç thotë opozita.

Saimir Tahiri: Unë nuk mund të bëj dot të njëjtën gjë si opozita, e cila i quan kolumbianë dhe narkotrafikantë shqiptarët nga një anë...

Sokol Balla: Ju quan ju në fakt...

Saimir Tahiri: Mua më ka quajtur që ditën e parë të punës dhe nga ana tjetër nuk mund të bëj dot atë që e ka bërë Qeveria e kaluar, që e ka fshehur këtë problem që ka qenë aty, pavarësisht se ne flasim sot për herë të parë. Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë aty gjithë kohës, Lazarati, Lumi i Vlorës, Dukagjini, Kruja, Burreli, Korça, Tirana. Pra në çdo cep të Shqipërisë ka qenë e kultivuar. Kam raportet sekrete të policisë që konfirmojnë çdo fshat në të 12 qarqet ku është gjetur kanabis kur ministër ka qenë Bujar Nishani, kur ka qenë i ndjeri Sokol Olldashi, Lulzim Basha dhe ky tjetri...harroj një ministër.

Sokol Balla: Zoti Noka.

Saimir Tahiri: Po zoti Noka. Problemi ka qenë aty. Ne sot nuk jemi përballë shtimit të fenomenit, shtimit të hapësirës së kultivuar. Ne sot po evidentojmë më shumë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco