Ambasadori amerikan paralajmëroi kompromise të reja me Serbinë, PDK e LDK e mbyllin gojën

Ambasadori amerikan paralajmëroi kompromise të reja me Serbinë, PDK e LDK e mbyllin gojën

13:59, 22/09/2020 Nga Albionë Zhitia

Derisa dje Prishtina ishte nikoqire e një delegacioni amerikan, pjesë e të cilit ishte edhe i dërguari i posaçshëm për dialog, Richard Grenell, ishte ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, që u kujdes të tregojë se është e pamundur të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse pa u bërë kompromise nga të gjitha palët. 

Kosnet deklaroi se të gjithë duhet të kenë qasje të re ndaj çështjeve dhe “të ndërmarrin hapa të guximshëm për të sjellë ndryshime”, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të lëvizin përpara.

Shtetet e Bashkuara, sipas tij, sa i përket Kosovës dhe Serbisë, po përpiqen të fokusohen në gjëra të arritshme në vend se sa në procese, rregulla dhe protokolle.

Kjo deklaratë e Kosnett nuk po shihet me sy pozitivë në Kosovë.

Për deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, Kosova mjaft ka bërë kompromise. Ajo i tha Syri.net Kosovës se sovraniteti, territori dhe burimet strategjike duhen të jenë të panegociueshme.

"Që nga përfundimi i luftës, Kosova ka bërë tepër shumë kompromise karshi Serbisë. Kompromiset e njëpasnjëshme nuk kanë ndikuar në ndryshimin e qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës. Sa më shumë kompromise nga ana e Kosovës, aq më agresive është bërë Serbia ndër vite. Ka ardhur koha që Serbia ta pranojë të vërtetën e saj dhe ta kuptojë se rruga e saj drejt integrimit në BE kalon përmes Kosovës. Sa më herët që Serbia pajtohet me realitetin, më mirë për të dyja palët. Dialogu duhet të shërbejë për të zgjidhur çështjet si dëmet e luftës që Serbia i ka shkaktuar Kosovës, të pagjeturit, kthimin e artefakteve dhe dëmet tjera. Sovraniteti, territori dhe burimet strategjike janë dhe duhet të jenë të panegociueshme." 

Kurse nënkryetarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Magbule Shkodra, nuk pret diçka të dëmshme nga deklarata e ambasadorit, kur dihet se SHBA-të gjithmonë kanë qenë përkrah Kosovës.

Ajo për Syri.net Kosovën shtoi se AAK vazhdon të mbajë qëndrimin e saj karshi dialogut se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe asociacioni me kompetenca ekzekutive është i papranueshëm.

“Ne si Aleancë nuk e humbim besimin në SHBA-të, ne gjithmonë e dimë se vendi ynë ka pasur përkrahjen e SHBA-së që nga 1999 e tutje. Qëllimi ynë si parti ka qenë që në procesin e dialogut të hyjnë edhe SHBA-të prandaj ne kemi besim të plotë në të. Ajo që ne si parti është që nuk lëkundemi nga qëndrimet tona për ndryshim kufijsh, por edhe jemi kundër asociacionit me kompetenca ekzekutive që do të ishte shumë e dëmshme për vendin” – përfundoi Shkodra. 

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, gjatë një deklarimi për Syri.net Kosovën, tha se Kosova tashmë ka bërë compromise, andaj është koha që Serbia të bëjë një gjë të tillë e që finalja të jetë njohja reciproke. 

“Kompromise të reja Kosova veç i ka bërë, Serbia nuk ka lëvizur fare nga pozicionet e saj, as formalisht nuk e ka nxjerr nga kushtetuta e saj Kosovën. Në anën tjetër po përfiton me të madhe nga konflikti e jo zgjidhja e problemit me Kosovën. Radhën duhet ta ketë Serbia ta pranojë kompromisin, patjetër shtrohet pyetja a do të mund SHBA të detyrojë Serbinë që të pranojë kufirin e vitit 1974 mes Kosovës e Serbisë? Nëse kjo ndodh, atëherë Serbia do të bëjë një hap drejt njohjes së Kosovës, nëse jo atëherë s’ka gjë as prej temës së marrëveshjes e që po i bie se Serbia i mashtroi SHBA-të. Pra dialogu i ardhshëm duhet të përqendrohet në njohje reciproke” – përfundoi Burjani.

Syri.net Kosova ka tentuar të marrë një qëndrim nga zyrtarët e LDK-së dhe PDK-së rreth kësaj teme, por asnjëri nga ta nuk kanë pranuar të flasin deri në momentin kur po publikohet ky shkrim.

Se a do të bëjë Kosova kompromise të reja për të marrë si shkëmbim njohjen e shumëkërkuar të Serbisë, apo do të jetë shteti fqinj ai i cili do të bëjë kompromis, mbetet të shihet, pasi sot në Beograd po qëndron Richard Grenell së bashku me delegacionin nga SHBA-ja, ku Koorporata Ndërkombëtare e Financave dhe Zhvillimit e SHBA-së do të hapë zyrën e vet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco