Dosjet godasin Specialen para ngritjes së aktakuzave për krime lufte kundër ish-drejtuesve të UÇK-së

Dosjet godasin Specialen para ngritjes së aktakuzave për krime lufte kundër ish-drejtuesve të UÇK-së

14:15, 21/09/2020 Nga A.ZH

Brenda pak ditësh dy palë dokumentacione u dorëzuan në zyrat e organizatave të veteranëve të luftës qe dy herë nga persona të cilët nuk kanë mundur të identifikohen nga pamjet e publikuara nga zyrtarët e OVL-UÇK-së.

Këto dokumente u morën nga disa persona, për të cilët nga OVL e UÇK-së thanë se janë zyrtarë nga Gjykata Speciale. Kështu pohoi kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, para gazetarëve - shkruan Syri.net Kosova

Këto dosje dëshmi të dëshmitarëve kanë trazuar çdo dëshmitar, por edhe secilin qytetarë të Kosovës.

Kush po tenton të rrënojë Gjykatën Speciale me publikimin e dosjeve dhe dëshmitarëve?

Sipas avokatit të autorizuar të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Tomë Gashi, vetëm kjo organizatë nuk do i kontribuojë përkundër që është kundër që nga themelimi i saj.

Ai në një prononcim për Syri.net Kosovën tha se OVL e UÇK-së asgjë nuk ka kontribuar kundër Gjykatës Speciale me publikimin e këtyre dosjeve, duke shpresuar që emrat e dëshmitarëve të mos jenë bërë publikë, pasi një gjë e tillë është vepër penale.

Ai tutje shtoi se mund të kemi dosje të tjera që priten të dorëzohen, pasi që herën e fundit kështu i është thënë zyrtarëve të OVL-së nga personi që i ka dorëzuar ato, por që nuk ka specifikuar kohën se kur mund të ndodh kjo.

“Nuk ka faj Kosova e as OVL që këto dosje kanë rrjedhur dhe janë sjellë në zyrat e tyre. Këto dosje janë origjinale të Gjykatës dhe dëmtojnë kredibilitetin e saj pasi dëshmon që nuk janë të aftë të ruajnë shpinë e vet. Nuk ka asgjë të keqe që janë publikuar në media emrat e institucioneve të Serbisë e që po shihet se kjo Gjykatë po i merr parasysh dokumentet e ofruara të shteti serb e që dihet se UÇK ka luftuar me Serbinë dhe se janë palë ndërluftuese, andaj si mund të merren parasysh dëshmitë e Serbisë?”

Në fund Gashi për Syri.net Kosovën thotë se të gjithë ushtarët e UÇK-së e kanë pranuar Gjykatën Speciale dhe misionin e saj, prandaj edhe i janë përgjigjur ftesave të tyre, duke dëshmuar në çfarëdo lloj cilësie që janë thirrur.

Ai si avokat kërkon nga veteranët, me theks të veçantë ata individë që tashmë janë thirrur nga kjo gjykatë, që të mos deklarohen rreth proceseve të ndryshme që mund të lidhen me Dhomat e Specializuara dhe këto dosje.

Që nga krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, ekspertët e kanë parë si sfidë të vështirë mbrojtjen e dëshmitarëve.

Një nga arsyet kryesore pse Gjykata Speciale e Kosovës u vendos në Hagë ishte frika nga kërcënimi i dëshmitarëve potencialë “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit, në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare, mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë.

Ehat Miftaraj, Drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, në një deklaratë për Syri.net Kosovën thotë se për publikimin e këtyre dosjeve duhet të japë sqarime vet Gjykata Speciale, pasi kjo mund të ulë besimin në këtë institucion.

 “Publikimi i dosjeve apo informatave lidhur me rastet në Gjykatën Speciale, në radhë të parë cenon sigurinë fizike dhe juridike të dëshmitarëve, e pastaj edhe ul besimin e publikut në seriozitetin dhe integritetin e Gjykatës Speciale. Probleme me mbrojtjen e dëshmitarëve dhe informatave njëjtë kanë pasur edhe UNMIK dhe EULEX në Kosovë, andaj të njëjtat nuk duhet të ndodhin edhe me Gjykatën Speciale, i cili institucion duhet të japë llogari dhe sqarime për publikun lidhur me ngjarjet e fundit” – përfundon Miftaraj.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar rreth këtyre dosjeve, duke thënë se me shqetësim po e ndjek këtë “spektakël dashakeq”, i cili, sipas tij, po e krijon padrejtësisht përshtypjen se Kosova është rreshtuar në anën e kundërt të drejtësisë. Këto zhvillime, sipas tij, nuk i ndihmojnë Kosovës, të vërtetës së saj dhe drejtësisë vendore e ndërkombëtare.

Ramush Haradinaj ka thënë se kushdo që has në dokumente sensitive të hetuesisë e gjykatave, duhet menjëherë t’ua dorëzojë institucioneve përgjegjëse, “e jo të ushqejë vazhdimin e spektakleve mediatike që dëmtojnë zhvillimin e drejtësisë dhe zbatimin e ligjit për të gjithë”.

“Kosova si viktimë përballë agresorit, UÇK-ja, dhe populli i Kosovës janë angazhuar gjithmonë për t’u pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës dhe të drejtës ndërkombëtare. Kështu do të mbetet gjithmonë!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Vetë Haradinaj është ftuar për intervistë në Gjykatën Speciale.

Dhomat e Veçanta, apo, siç njihet në Kosovë, Gjykata Speciale, është gjykata e katërt me radhë që merret me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këto krime paraprakisht i kanë hetuar dhe gjykuar Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë apo UNMIK-u, Tribunali Ndërkombëtar i Hagës si dhe Gjykata e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX. Deri më tani, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

 Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Deri më tani, asnjë aktakuzë nuk është konfirmuar ose hedhur poshtë publikisht. Gjyqtari ka gjashtë muaj për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco