Tragjedi në Viti: Vdes 61-vjeçari, dyshohet se u rrëzua në ballkon si pasojë e kushteteve atmosferike

Tragjedi në Viti: Vdes 61-vjeçari, dyshohet se u rrëzua në ballkon si pasojë e kushteteve atmosferike

21:18, 21/07/2026

Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti të dyshuar të shkaktuar nga përkeqësimi i kushteve atmosferike në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur më 21 korrik 2026, rreth orës 16:30, kur një person mashkull, i lindur në vitin 1965, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshqitur në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij, duke pësuar lëndime në kokë.

Sipas Osmanit, viktima është dërguar me autoambulancë në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, por mjeku kujdestar ka konstatuar se ai ka qenë pa shenja jete.

Lexo edhe:
Stuhia rrëzon drunj në hyrje të Shtërpcës, dëmtohen edhe disa automjete
Punëtori kosovar i sigurimit përfshihet në një përleshje në burgun zviceran: 15 muaj burg
Nesër nuk do të ketë kufizime për qarkullimin e mjeteve të transportit të mallrave mbi 20 tonë

“Njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka deklaruar Osmani.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Po ashtu, si pasojë e kushteve të vështira atmosferike, dy persona të tjerë nga fshati Pozheran kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi dyert hyrëse të oborrit të tyre janë rrëzuar.

Ata, pas tretmanit mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, janë liruar për në shtëpi.

Policia Rajonale në Gjilan ka apeluar te qytetarët që gjatë kushteve të tilla atmosferike të kenë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco