Nga Dren Dushi - 12:21, 16/07/2026
Çfarë do t’i kërkoja LVV-së, nëse do isha negociatori i LDK-së?
Një nga artet më të vështira të politikë-bërjes, është arti i të negociuarit, për aq sa mund ta quajmë art. Shumë procese në botë, madje rendi ku jetojmë, është i përcaktuar nga disa negociatorë në periudha historike të ndryshme. Shpesh kur përmendet ndonjë Kongres, në rastin e shqiptarëve, qoftë ai i Londrës apo Berlinit, kanë qenë negociatorët të cilët i kanë dhënë fund, vazhdim apo fillim të ri luftërave, por kanë dhënë edhe ndarje territoresh, sfera influence madje edhe përcaktim të rendeve botërore siç u bë pas luftës së dytë botërore mes negociatorëve amerikanë, rusë e britanikë. Ata negociatorë arritën të zgjedhnin çështjet e botës, por a munden negociatorët e LVV-së dhe LDK-së të zgjedhin çështjet e Kosovës për katër, apo tetë vitet e ardhshme? Dhe mbi çfarë parimesh mund të bëhet ndarja e pushteteve?
1. Të lexohet korrekt rezultati i zgjedhjeveRezultati i zgjedhjeve të fundit është më pak i favorshëm për LVV-në se zgjedhjet e 28 Nëntorit të vitit të kaluar, kjo për arsye se, nëse atëherë ata mund ta bënin një qeveri që funksionon lehtë e pa u shantazhuar nga një apo dy deputetë, sot nuk është më kjo mundësi. LVV mund ta bëj qeverinë e vetme, por kjo do të ketë një kosto të menjëhershme, dhe dy tjera potenciale. E menjëhershmja do të ishte një Qeveri e cila shantazhohet, qoftë nga ndonjë deputete si Duda Balje apo nga ndonjë deputet i cili pak minuata para hyrjes në sallë për të votuar ndonjë ligj të rëndësishëm, kërkon disa pozita për rrethin e ngushtë të tij apo të saj, pra do të kemi një Qeveri të shantazhuar, dhe shumë vështirë funksionale, meqë në mesin e 61-2 deputetëve, pothuajse përherë ka mungesa dhe jeta paralamentare nuk do të ishte funksionale. Dy mundësitë potenciale, do të ishin se bërja e Qeverisë vetë, do lexohej nga LDK (meqë PDK tashmë duket të ketë marrë urdhërat nga shefat e vërtetë) si arrogancë politike e LVV-së, dhe ata do merrnin pozicion destruktiv ku si pasojë do çohej vendi në zgjedhje të reja. Potenciali i tretë, do të ishte se pas bërjes së Qeverisë vetë, LDK do të insistonte për postin e Presidentit, ku pastaj LVV-së do t’i imponohej të jepnin më shumë pushtet qeveritar kombinuar me postin e Kryetarit të Kuvendit meqë postin e Presidentit nuk e japin.
Rezultati pra, nëse lexohet mirë, obligon LVV-në dhe LDK-në, që më shumë të shohin kah një partneritet strategjik që i shërben interesave të vendit në 4-8 vitet e ardhshme, ku çështje si ekonomia, energjia, arsimi dhe integrimi, bëhen cak serioz dhe u lihen ekspertëve para se tu lihen militancës. Ky rezultat, imponon respekt të ndërsjelltë, meqë ka varësi të ndërsjelltë, dhe në parim kur dikush ka shumë, zakonisht jep pak më shumë se dikush që ka pak, por le të injorojmë këtë parim për një tjetër më korrekt.
Nëse interesi i Kosovës do të jetë targeti i këtyre negociatave, para interesit LVV/LDK, nuk besoj që negociatat do të dështonin. Por të kthehemi te titulli i këtij shkrimi.
Nëse LVV ka këtë fuqi politike të dhënë nga populli i Kosovës, ajo fuqi duhet të transmetohet në Qeverisje, dhe këtë fakt duhet ta pranoj LDK, siç duhet ta pranoj edhe LVV faktin se këtë fuqi të dhënë të popullit, ajo nuk mund ta vë në jetë të gjatë (katër vjeçare) pa LDK-në në këtë rast, meqë në të kundërt vendi shkon sërisht në zgjedhje. Me çfarë parimesh mund të ecet tutje?
Kur mund ta bësh vetë Qeverinë, e nuk mund ta legjitimosh për katër vite, por kthehesh në detyrë e zgjedhje tjera, do të thotë se rruga më e mirë është bashkëpunimi. Pra, për të zgjedhur krizën politike, nuk duhen llogaritur 61 deputetë, por duhen llogaritur 80.
Nga këta 80, LVV ka 53, LDK 18 dhe 10 janë minoritete, kjo do të thotë se LVV-së i takon rreth 65% të pushtetit. Çështja është, si të llogaritet 65% e pushtetit?
Nëse llogaritet për nga pushteti financiar, juridik, apo një kombinim? Nëse ndahen dikasteret Ministrore me ato të tre liderëve të shtetit, mund të bëhet një formulë parimore dhe funksionale. Kjo do të thoshte se, në Ministri LVV përfaqësohet me 65%, nga 20 ministri LVV do të kishte 13, meqë LDK do të ketë rreth 22% nga 80-shi, i bie të ketë rreth 4.4 Ministri, e që 3 tjera do mbeten për minoritetet.
Të tri postet më të larta shtetërore, mund të ndahen me të njejtën parimësi, duke qenë se posti i Kryeministrit është posti më i rëndësishëm në Kosovë, pastaj i Presidentit dhe së fundi i Kryetarit të Kuvendit. Formua më e përafërt sipas parimit të % së pushtetit do të ishte që LVV të merrte Kryeministrin, Presidenti/ja të jetë jo-partiak (i pranueshëm nga 80 deputetë) dhe Kryetari/ja i Kuvendit të jetë nga LDK.
Pra po të isha unë negociatori i LDK-së, do kërkoja 4.4 Ministri (me parimin e buxhetit ose ekspertizës) dhe postin e Kryetarit të Kuvendit. Me idenë që, pas katër vitesh, të ndjeket e njejta parimësi e ndarjes së pushtetit në varësi të rezultatit elektoral. Në rast refuzimi të LVV-së, apo të ndonjë oferte ku posti i Kryetarit të Kuvendit zëvendësohet me dy ministri, do ta refuzoja, me idenë që balanci i institucioneve kryesore të mos prishet, dhe që si parti me fuqi të kufizuar, vetëm pasja e një nga tri postet e larta shtetërore garanton mbrojtjen politike. Çështjet ideologjike, nëse shikon programet e dy partive politike, nuk paraqesin problem në negociata.
2. Minimi i marrëveshjes nga grupet e interesit të PDK-së brenda LDK-sëKur ish Presidentja Osmani vendosi të kthehej e t’i printe listës së LDK-së, Kryetari Abdixhiku u tregua zemërgjerë dhe hoqi dorë nga lidershipi i tij (të paktën në listë) dhe ia mundësoi Dr. Osmanit t’i prijë listës. Por duket se kjo nuk ju pëlqeu disave në LDK, sidomos disave që zgjedhen Kryetarë Komunash nga PDK. Çfarë bënë ata?
Duke qenë se udhëheqin me disa komuna, kanë në duar ca para, sidomos ato para të shtrimit të asfalteve sfungjer çdo vit, dhe kanë ca të punësuar, antarë partie, të cilët duket se janë detyruar të japin nënshkrimet për të thirrur një Kuvend tjetër kundër LDK-së, dhe më shumë se kaq, kundër arritjes së koalicionit LVV/LDK dhe përfundimit të kësaj krize politike të gjatë.
Këto grupe, kanë sabotuar lidershipin Osmani/Abdixhiku në zgjedhje, dhe ky sabotim shihet në rezultat, ata nuk u mjaftuan me dëmin që bënë në zgjedhje, tash po duan dëmin ta rrisin edhe pas zgjedhjeve. Ata duan ta mbajnë LDK-në afër PDK-së, sepse nuk shohin më larg se te interesat milionëshe të tenderëve të komunave që i ka mbuluar bërllogu e që janë betonizuar pa asnjë kriter.
Një nga ta, në kulmin e fushatës, vendosi të godasë gastronomët duke u prishur teracat, teksa propozoi “viza” për qytetarët tjerë në vlerë dhjetë euro për të hyrë në “qytetin bërllog” të tij, meqë e dinte se kështu do irritonte gjithë Kosovën, dhe do të dëmtonte lidershipin e partisë, në mënyrë që t’i hapej rruga për ambicien e tij, siç kishte bërë dikur një tjetër nga pozicioni i tij.
3. Çfarë do të thotë kjo për LDK-në?LDK ka dy rrugë nga ky proces. Në konsideratën time, të dy rrugët janë të mira për demokracinë e Kosovës. Njëra rrugë është ajo e forcimit të demokracisë, dhe pranimit të vullnetit të shumicës, daljen nga ky proces të një lidershipi të ri në LDK, që nuk i jep më llogari PDK-së dhe që distancohet nga Kryetarët e(dyshuar) korruptuar të komunave (që zgjedhen me vota të PDK-së), dhe rruga tjetër është të fitojnë këta të fundit. Në rastin e dytë, LDK do të mbetej vetëm një grup interesi që në të ardhmen, me forcimin e sundimit të ligjit, do të bëhej cak i prokurorisë (meqë një prokurori normale interesohet përse një rrugë shtrohet shtatë herë në dhjetë vite?), dhe grupi i reformatorëve do të dilte jashtë dhe do foromonte një të djathtë të re, e që kjo do të thoshte se LDK shndërrohet në një parti që lufton për prag zgjedhor. Edhe kjo nuk do të ishte diçka e keqe për demokracinë e Kosovës.
Unë besoj që, grupi i reformatorëve, dhe demorkacia në LDK, do të fitojnë karshi relikteve politike të interesave perfide të korrupsionit, dhe se ky Kuvend mund të jetë një zhvillim pozitiv për demokracinë e LDK-së, dhe për demokracinë në Kosovë
© SYRI.net