Kosova nën ndikimin e motit të lig: Ekipet e mirëmbajtjes intervenojnë në zonat e prekura

Kosova nën ndikimin e motit të lig: Ekipet e mirëmbajtjes intervenojnë në zonat e prekura

20:38, 21/07/2026

Pas reshjeve të dendura dhe stuhisë që ka përfshirë Kosovën, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes janë në gjendje gatishmërie dhe po reagojnë me shpejtësi e përgjegjësi.

Sipas njoftimit, në hyrje të Shtërpcës (R115), si pasojë e stuhisë, janë rrëzuar drunj, duke shkaktuar dëme edhe në disa automjete. Ministria thotë se ekipet e mirëmbajtjes kanë intervenuar menjëherë për largimin e drunjve dhe pastrimin e rrugës, transmeton Klankosova.tv.

Në njoftim theksohet se pas ndërhyrjes së ekipeve në terren, rruga është liruar dhe aktualisht është e qarkullueshme.

“Po qëndrojmë vigjilentë dhe po bashkëpunojmë me të gjitha institucionet përgjegjëse për menaxhimin sa më të mirë të situatave me të cilat po përballemi. U bëjmë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar dhe, gjatë paralajmërimeve për reshje të dendura apo stuhi, të shmangin qarkullimin e panevojshëm në rrugë dhe të përshtatin vozitjen me kushtet atmosferike”, thuhet në njoftim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco