Romë/  Si ranë hetuesit në gjurmët e katër të arrestuarve për atentatin me eksploziv ndaj gazetarit, Sigfrido Ranucci

Romë/ Si ranë hetuesit në gjurmët e katër të arrestuarve për atentatin me eksploziv ndaj gazetarit, Sigfrido Ranucci

09:19, 30/06/2026

Nga Alba Kepi

 Karabinierët italianë kanë arrestuar katër persona të dyshuar si autorët e atentatit me eksploziv ndaj gazetarit të njohur investigativ Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit "Report". Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit në provincat e Napolit dhe Avelinos, me urdhër të Gjykatës së Romës dhe në kuadër të hetimeve të Drejtorisë Rajonale Antimafia (DDA).

Sipas autoriteteve, tre nga të arrestuarit janë në masë arrestimi me burg, ndërsa një person është vendosur në arrest shtëpiak. Ata dyshohen, në role të ndryshme, për mbajtje, transportim dhe përdorim të një mjeti shpërthyes, kërcënim dhe dëmtim të pronës, vepra të rënduara nga fakti se janë kryer nga një grup me më shumë se pesë persona dhe me metoda të tipit mafioz.

Hetimet lidhen me atentatin e ndodhur mbrëmjen e 16 tetorit 2025 në Torvaianica, në territorin e Pomezias, ku një bombë shpërtheu përpara portës së banesës së gazetarit Sigfrido Ranucci. Shpërthimi shkatërroi dy automjetet e gazetarit dhe dëmtoi murin rrethues të banesës.

Sipas Karabinierëve, atentati ndodhi në një zonë të banuar dhe rrezikoi seriozisht jetën e banorëve të lagjes. Autoritetet theksojnë se pasojat mund të kishin qenë shumë më të rënda dhe u shmangën vetëm falë rrethanave fatlume.

Karabinierët e Njësive Hetimore të Romës dhe Fraskatit zhvilluan një hetim të gjatë, duke analizuar pamjet e dhjetëra kamerave të sigurisë publike dhe private, duke kryer ekspertiza tekniko-shkencore dhe duke shqyrtuar tabulatet telefonike të zonës.

Falë këtyre hetimeve, autoritetet arritën të rindërtojnë me detaje të gjitha fazat e atentatit – nga përgatitja, ekzekutimi deri te largimi i autorëve.

Ekspertët e Njësisë së Artificierëve dhe të Institutit të Hetimeve Shkencore (RIS) në Romë konstatuan se bomba ishte ndërtuar me "gelatina da cava", një lëndë shpërthyese e përdorur dikur në gurore. Edhe pse konsiderohet material i vjetëruar, ai ka një fuqi shumë të madhe shkatërruese dhe përdorimi i tij sugjeron ekzistencën e një rrjeti të paligjshëm furnizimi me eksploziv.

Një rol vendimtar në hetim pati një kamerë sigurie e vendosur përgjatë rrugës shtetërore SS148 Pontina, disa kilometra larg vendit të atentatit.

Pamjet filmike çuan në identifikimin e një Fiat 500 X, e marrë me qira në rajonin e Kampanias. Hetuesit arritën të dokumentonin udhëtimin e automjetit drejt Romës dhe kthimin e tij menjëherë pas atentatit.

Një tjetër provë kyçe ishte analiza e tabulateve telefonike dhe e të dhënave telematike.

Sipas hetuesve, telefonat celularë të përdorur nga autorët kanë ndjekur të njëjtën itinerar si automjeti Fiat 500 X, jo vetëm ditën e atentatit, por edhe gjatë një vizite paraprake në Torvaianica, kur dyshohet se grupi kishte kryer vëzhgimin e zonës.

Sipas elementeve të mbledhura deri tani, grupi nuk ka vepruar me iniciativën e vet.

Hetuesit dyshojnë se atentati është kryer me porosi të personave të tretë, të cilët ende nuk janë identifikuar. Ata dyshohet se kanë financuar operacionin, kanë siguruar karta SIM të posaçme, mbështetje ligjore dhe madje kishin përgatitur edhe një plan arratisjeje jashtë Italisë për autorët në rast zbulimi.

Gjatë hetimeve u dokumentuan edhe disa tentativa për të penguar drejtësinë.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit kanë kryer kontrolle për të zbuluar pajisje përgjimi, kanë shkatërruar karta SIM dhe kanë rënë dakord për versione të përbashkëta të ngjarjes, me qëllim fshehjen e përgjegjësisë së tyre dhe mbrojtjen e personave që dyshohet se kanë porositur atentatin.

Paralelisht me arrestimet, Karabinierët po zhvillojnë kontrolle dhe bastisje ndaj personave të tjerë të hetuar, të cilët dyshohet se kanë furnizuar eksplozivin ose kanë ofruar mbështetje logjistike për grupin kriminal.

Autoritetet italiane bëjnë të ditur se hetimet vazhdojnë me intensitet për të identifikuar dhe çuar përpara drejtësisë personat që kanë urdhëruar atentatin ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco