Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit ka gjetur parregullsi lidhur me realizimin e pagesave në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ku janë evidentuar vonesa të konsiderueshme në ekzekutimin e tyre.
Sipas ZKA-së, në 15 pagesa me vlerë të përgjithshme prej 380,470 euro janë konstatuar vonesa që kanë tejkaluar afatet e lejuara ligjore për realizimin e pagesave, ku ato kanë variuar nga shtatë ditë deri në 11 muaj.
“Në 15 pagesa në vlerë totale prej 380,470 euro kishte vonesa në pagesa nga shtatë ditë deri në 11 muaj, pas afatit të lejuar prej pagesës 30 ditë”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Tutje, ZKA vlerëson se mosrespektimi i afateve për pagesa mund të ndikojë negativisht në menaxhimin financiar dhe në realizimin e obligimeve kontraktuale, duke krijuar vështirësi në proceset administrative dhe financiare të institucionit.
Po ashtu, auditori ka evidentuar edhe mangësi në procedurat e autorizimit të pagesave, ku në disa raste dokumentacioni nuk kishte kaluar procesin e rregullt të nënshkrimit nga zyrtarët përgjegjës.
“Në tetë pagesa në vlerë totale prej 225,570 euro kemi vërejtur se ato nuk ishin të nënshkruara nga zyrtarët e autorizuar”,thuhet në raport.
ZKA rekomandon që menaxhmenti i MASHTI-t të sigurojë zbatimin e procedurave të kontrollit të brendshëm dhe respektimin e afateve ligjore, me qëllim të shmangies së parregullsive dhe përmirësimit të menaxhimit financiar.
© SYRI.net