Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka ngulur këmbë se Kosova nuk është kundër gazit të lëngëzuar amerikan (LNG), por nuk sqaroi nëse do t’i bashkohet përfundimisht apo jo projektit të aleatit të vet më të madh për furnizim me LNG.
Në një video të postuar mëngjes e së premtes në llogarinë e vet në Facebook, Rizvanolli tha se dëshiron ta sqarojë çështjen e gazit amerikan, duke qenë se Qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti po përballet me kritika dhe trysni pasi është shfaqur e rezervuar për projektin.
Qeveria në detyrë është përballur me thirrje të vazhdueshme, nga Ambasada amerikane në Prishtinë e deri tek odat ekonomike në vend dhe opozita, për të hyrë në projektet e gazit amerikan.
Rizvanolli tha se “nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është kundër gazit të lëngëzuar nga SHBA-ja, siç po thuhet”.
Ajo tha se Kosova nuk e ka as përvojën dhe as infrastrukturën për t’u furnizuar me LNG, prandaj çështja e diskutimit të gazit amerikan “është përtej politikave ditore”.
“Si gjithmonë ne do ta trajtojmë edhe këtë çështje me seriozitetin e përgjegjësinë më të lartë bashkë me ekspertët e të gjitha institucionet relevante dhe duke marrë parasysh të gjitha konsideratat ekonomike e politike”, tha ajo.
Në Kosovë 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga qymyri, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli. Por, vendi varet nga importi gjithashtu, posaçërisht në kohët e pikut të dimrit dhe verës.
“Ne kemi zgjedhur thëngjillin, burimet e ripërtërimit të energjisë si era e dielli, kogjenerimin për ngrohje qendrore dhe efiçencën e energjisë. Ky kombinim mbështetet në burime vendore dhe është më i liri për qytetarët e bizneset tona”, tha ajo.
Rizvanolli e bëri të qartë se Qeveria në detyrë e sheh gazin amerikan si burim shtesë, duke e përsëritur gjithashtu se ajo e vlerëson gazifikimi i thëngjillit si mundësi më të mirë se furnizimin me LNG-në amerikane.
Sipas saj, përmes gazifikimit të thëngjillit Kosova do të shtonte kapacitete të reja “që janë me teknologji më të avancuar e më pak ndotje”.
Ajo përmend një memorandum bashkëpunimi mes Kosovës e Shqipërisë në vitin 2022, me synim bashkëpunimi në termocentralin e Vlorës me LNG.
Edhe vetë kryeministri Kurti e ka përmendur gazifikimin e thëngjillit si zgjedhje më të parapëlqyer sesa LNG-ja amerikane.
“Këtë e kemi konsideruar zgjidhje më të mirë, më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme. Nga analizat që kemi bërë del se mënyra më e shpejtë, e dobishme dhe ekonomikisht e favorshme për inkuadrimin potencial të LNG-së në miksin tonë energjetik është përmes termocentralit në Vlorë”, tha ajo.
Ministrja në detyrë argumentoi se Kosova nuk varet nga gazi për shkak të rezervave të thëngjillit që gëzon.
“Përballueshmëria e çmimeve është konsideratë kyçe në politikën tonë energjetike”, shtoi ajo.
Rizvanolli gjithashtu tentoi t’i zbusë shqetësimet se Kosova mund të përballet me përkeqësim marrëdhëniesh me SHBA-në, nëse nuk i bashkohet projektit.
Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës paralajmëruan ditë më parë se refuzimi i projekteve rajonale të LNG-së rrezikon të kenë ndikim negativ në partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
“Pavarësisht këtyre diskutimeve nuk ka asnjë dilemë që Kosova dhe Qeveria e saj kanë qenë dhe mbeten të bashkërenduara me politikën e jashtme të SHBA-ve në mënyrë konsistente dhe parimore”, nguli këmbë Rizvanolli.
Njohësit e zhvillimeve që ndërlidhen me energjetikën në Kosovë vlerësojnë se SHBA-ja po bën përpjekje që t’i mos i lërë vendet e Ballkanit Perëndimor të cenueshme përballë ndikimit rus dhe ndikimeve tjera në sektorin e energjisë.
Disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe SHBA-në për të zgjeruar rrjetin e gazit.
Në mesin e tyre Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina. Rishtazi është nënshkruar një projekt i madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.
Rizvanolli pretendoi se Kosova nuk po zgjedh mes SHBA-së dhe Rusisë, pasi, për dallim nga disa vende të tjera të rajonit, ajo nuk varet nga gazi rus.
Ajo shtoi se “sigurisht që Kosova e çmon dhe përkrah përpjekjen e SHBA-së për të eliminuar ndikimin që Rusia ka në rajonin tonë përmes furnizimit me gaz”.
“Mirëpo, në rastin e Kosovës, shfrytëzimi i temës së gazit për të vendosur etiketime si antiamerikan ose për të shtruar pyetjen me Rusinë a me Amerikën është jo vetëm fals, por edhe komplet i palogjikshëm, sepse Kosova nuk importon asnjë metër kub gaz rus”, shtoi ajo./ REL/
© SYRI.net