Një ankesë shqetësuese ka mbërritur në redaksinë e Syri.net Kosova nga një nënë, e cila po qëndron me fëmijën e saj në Klinikën e Pediatrisë, përkatësisht në Repartin e Gastroenterologjisë në QKUK.
Nëna përshkruan një gjendje alarmante brenda repartit, duke pretenduar se kushtet në të cilat po trajtohen fëmijët dhe po qëndrojnë familjarët e tyre janë larg çdo standardi minimal.
Sipas saj, shumë prindër detyrohen të flenë në dysheme, pasi krevatet janë të dëmtuara dhe të papërdorshme. Në fotografinë e dërguar në redaksinë tonë shihet një dyshek i vendosur në tokë, pranë shtratit spitalor, ku një prind është detyruar të kalojë natën.
Në ankesën drejtuar Syri.net Kosova, ajo thekson se në repart mungojnë kushtet elementare për qëndrim. Sipas saj, në shumë dhoma nuk ka jorganë, jastëkë apo karrige të mjaftueshme, ndërsa sistemi i klimatizimit nuk funksionon si duhet, duke i ekspozuar fëmijët e sëmurë dhe prindërit ndaj temperaturave të larta.

Po ashtu, ajo ngre shqetësime serioze për gjendjen e banjove, të cilat, sipas saj, nuk plotësojnë as kushtet bazë të higjienës. Ajo pretendon se në disa raste mungojnë edhe rubinetat funksionalë dhe pajisjet e nevojshme për mirëmbajtje.
Një tjetër problem që ajo evidenton është mungesa e frigoriferëve. Sipas saj, prindërit detyrohen të blejnë ushqim për fëmijët, por për shkak të vapës ai prishet brenda pak orësh, duke krijuar rrezik shtesë për shëndetin e pacientëve.
Në ankesë përmendet edhe mungesa e stafit, gjë që, sipas saj, e bën edhe më të vështirë ofrimin e kujdesit të nevojshëm për fëmijët.
Në kulmin e sezonit veror, kur temperaturat arrijnë nivele shumë të larta, mungesa e kushteve adekuate të higjienës dhe funksionimit normal të pajisjeve bazë në një repart ku trajtohen fëmijë të sëmurë ngre shqetësime serioze. Në ambiente të tilla, rreziku për përhapjen e infeksioneve dhe komplikimeve shëndetësore bëhet edhe më i madh.
Megjithatë, nëna bën të qartë se ankesa e saj nuk drejtohet ndaj stafit të mesëm shëndetësor. Sipas saj, infermierët po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për çdo pacient dhe po punojnë me përgjegjësi të lartë, pavarësisht kushteve të vështira. Problemi, siç thekson ajo, është mungesa e theksuar e stafit në repart, veçanërisht gjatë ndërrimeve, ku një infermier detyrohet të kujdeset për mbi 20 pacientë. Kjo ngarkesë e jashtëzakonshme jo vetëm që e bën të vështirë ofrimin e kujdesit optimal për fëmijët, por po e dërmon fizikisht dhe emocionalisht edhe vetë stafin infermieror, i cili po përpiqet të mbajë në këmbë një repart me kapacitete shumë më të ulëta se nevojat reale./Syri.net
© SYRI.net