“Ish-diplomati i lartë i Shteteve të Bashkuara dëshmoi të hënën, në fillim të fazës së mbrojtjes në gjyqin e Hashim Thaçit për krime lufte, tha se ish-presidenti i Kosovës, nuk kishte autoritet mbi komandantët ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, nis kështu artikulli i “Reuters” për dëshminë e Rubin në Hagë.
James Rubin, ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, ishte i pranishëm në bisedimet e paqes mes Kosovës dhe Serbisë dhe i përfshirë në pasojat e kryengritjes së Kosovës të viteve 1998-99 kundër trupave serbe.
Në dëshminë e tij ai e paraqiti Thaçin si një figurë diplomatike që duhej të kërkonte miratim nga komandantët ushtarakë të UÇK-së.
“Ishte e qartë për mua se ai nuk ishte në krye. Ai nuk kishte njohuritë, aftësitë apo autoritetin për të marrë vendime”, tha Rubin para gjykatës për Thaçin.
Thaçi dhe tre ish-komandantë të tjerë të UÇK-së janë në gjyq që nga viti 2023. Ata përballen me akuza për persekutim, vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë gjatë dhe menjëherë pas konfliktit të viteve 1990, i cili përfundimisht solli pavarësinë e Kosovës nga Serbia.
Thaçi dhe bashkë të akuzuarit e tij i mohojnë akuzat.
Rubin theksoi se besonte që Thaçi nuk kishte kontroll mbi komandantët e tjerë të lartë të UÇK-së.
“Ata i tregonin atij çfarë të bënte, ai nuk u tregonte atyre çfarë të bënin”, tha ai gjatë dëshmisë së tij në Hagë.
© SYRI.net