Partitë politike nisin zyrtarisht garën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Partitë politike nisin zyrtarisht garën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit

18:42, 13/09/2025

Partitë politike kanë hapur fushatën zgjedhore, e cila vazhdojë deri me datën e zgjedhjeve, më 12 tetor, siç ka vendosur Komisioni Qendror Zgjedhor.

Shumica e partive kanë bërë sot hapjen e fushatës, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, e cila këtë e bëri mbrëmë, para se të nisë fushata zyrtarisht.

Partia e parë që e bëri hapjen e fushatës zgjedhore sot është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke filluar nga ora 13:00.

Kryetari i kësaj partia, Ramush Haradinaj tha vendi po përballet me ditë të errëta, andaj ka kërkuar punë dhe angazhim nga kandidatët që i kanë hyrë garës nga kjo parti.

“Republika jonë kurrë nuk ka pasur kaq shumë nevojë për përkushtim. Po kalojmë ditë të errëta në vendin tonë, prandaj mos u ndalni. Punoni me përkushtim, sepse sytë janë nga ju”, ka thënë Haradinaj.

Pas AAK-së,  Nisma Socialdemokrate ka bërë hapjen e fushatës, një orë më pas.Në tubimin në Prishtinë, kjo nismë prezantoi kandidatë për asamble komunale dhe për kryetarë në gjashtë komuna.

Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve që të angazhohen në çdo qytet dhe fshat, duke e cilësuar Asamblenë Komunale si bazën e demokracisë dhe të shtetformimit.

Ndërsa, nga ora 18:00 fushatën zgjedhore e hapi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Në një tubim qendror në kryeqytet, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryetarët e komunave nga radhët e kësaj partie në mandatin e fundit janë përballur me pengesa nga pushteti qendror, por sipas tij, LDK-ja nuk është ndalur me punë.

Nisjen e fushatës ai e ka cilësuar si hapje të kapitullit të ri.

“Koha është të ngrihemi sërish në këmbë. Gjithandej nëpër Kosovë, me një ëndërr, më një shpresë dhe me një thirrje që nuk ndalet asnjëherë LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë. Ky është rrugëtimi jonë i ri…”, ka thënë Abdixhiku në fillim të fjalimit.

Dhe krejt në fund në sheshin “Skënderbeu”, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të nisë fushatën e saj në orën 19:00.

Partitë politike kanë prezantuar edhe sloganet me të cilat do të synojnë t’i bindin qytetarët për zgjedhjet e 12 tetorit.

“Bashkë për komunat”, është slogani i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje për këto lokalet e tetorit. PDK-ja ka zgjedhur sloganin “Ma mirë për komunën”, partia e Lumir Abdixhikut  sloganin “Kosova përtej”, kurse AAK-ja e Ramush Haradinajt sloganin “Dritë për komunat”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës më 6 shtator ka konfirmuar listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sipas së cilës do të kenë të drejtë vote 2.069.098 persona.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco