Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një komunikatë, përmes së cilës ka thënë se shpreh besimin e saj të plotë se Gjykata Kushtetuese do të veprojë në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe të japë një vendim të drejtë lidhur me situatën aktuale të bllokadës institucionale.
Në komunikatë thuhet se LDK-ja pret nga Kushtetuesja një vendim që i hap rrugë shumicës parlamentare të ushtrojë të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe të rikthejë normalitetin institucional, shkruan Reporteri.net.
“LDK-ja e ka bërë të qartë se, në përputhje me vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe me parimet themelore të funksionimit të sistemit kushtetues parlamentar, në rast se subjekti i parë dështon të sigurojë shumicë, e drejta për të propozuar kandidatin duhet t’i takojë shumicës parlamentare. Sistemi demokratik funksionon mbi bazën e shumicës dhe përgjegjësisë, jo të bllokadës dhe mungesës së vullnetit politik”, thuhet në komunikatë.
Aty theksohet se Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç në garantimin e funksionimit të institucioneve dhe në mbrojtjen e rendit demokratik në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.
“LDK-ja mbetet e përkushtuar për ruajtjen e rendit kushtetues dhe për një qeverisje që reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, përfundon komunikata.
© SYRI.net