Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka bërë thirrje për pjesëmarrjen masive në protestën e 7 gushtit, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK’së që po gjykohen në Hagë, shkruan Reporteri.net.
Thirrja e Tërnavës vjen pas një takimi që ai pati me kreun e OVL’së së UÇK’së, Hysni Gucatin.
“Myftiu Tërnava falënderoi z.Gucati për vizitën dhe vlerësoi lart punën dhe angazhimin e OVL të UÇK-së në ruajtjen e vlerave të luftës së ushtrisë tonë të lavdishme dhe kultivimin e këtyre vlerave te brezat që vijnë për të mbrojtur këtë trashëgimi të shtrenjtë të kombit. Nga ana e tij, z.Hysni Gucati falënderoi Myftiun për mikpritjen e ngrohtë dhe vlerësoi kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës gjatë luftës së fundit dhe sakrificën e imamëve dëshmorë në rradhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojte të lirisë dhe atdheut”, thuhet në njoftimin e BIK.
Protesta do të mbahet më 7 gusht në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
“Gjatë takimit u diskutua edhe për protestën paqësore të organizuar nga OVL e UÇK-së, të cilën Myftiu Tërnava e mbështeti dhe e përkrahu dhe me këtë rast ftoi besimtarët dhe bëri thirrje për pjesëmarrje masive në këtë protestë paqësore, për t’i dalë zot vlerave të Ushtrisë së lavdishme çlirimtare të Kosovës dhe në mbrojtje e përkrahje të dhe krerëve të saj, të cilët po gjykohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale në Hagë”, thuhet në njoftim.
© SYRI.net