Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët se nga sot, nuk do të ofrohet shërbim në platformën e-Kosova dhe në e-kioska për ata që nuk e kanë bërë ndërlidhjen e adresës zyrtare, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në njoftimin e Komunës thuhet se shkak të mosdeklarimit të adresës zyrtare, do të kufizohet lëshimi i këtyre dokumenteve të gjendjes civile: Ekstrakti i lindjes, Certifikata e vendbanimit, Certifikata e shtetësisë, Certifikata e bashkësisë familjare.
Ndërkohë, kufizime s’do të ketë për certifikata të lindjes, certifikatën e martesës, atë të gjendjes martesore dhe të vdekjes, si dhe për regjistrimet e reja të lindjes, martesës dhe vdekjes.
Komuna ka sqaruar se ndërlidhja e adresës zyrtare mund të bëhet në Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK) – sportelet 1 dhe 2 në objektin e vjetër të Komunës së Kryeqytetit, në sportelet e gjendjes civile në objektin e ri të Komunës dhe Online, përmes platformës e-Kosova.
“Formularët dhe deklaratat e ndërlidhjes së adresës duhet të ruhen në dosje të veçantë, të ndara nga dosjet e regjistrimeve apo verifikimeve të lindjes, martesës dhe vdekjes. Për më shumë informacion, ju lutemi drejtohuni në sportelet e gjendjes civile ose kontaktoni Komunën e Kryeqytetit”, thuhet në njoftim.
© SYRI.net