Zyrtare: Dua Lipa bëhet shtetase e Kosovës me dekret presidencial
Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa është shpërblyer sot me shtetësinë e Republikës së Kosovës, në një ceremoni të veçantë të organizuar nga Presidenca. Me një dekret presidencial, Presidentja Vjosa Osmani i dorëzoi personalisht dokumentet që e bëjnë Duan zyrtarisht shtetase të vendit të saj të origjinës.
“Mirë se erdhe në shtëpi, Dua!” — u shpreh Presidentja Osmani, duke e quajtur këtë akt një nder të veçantë për një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e Kosovës.
“Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën,” u tha në fjalën e rastit.
Dua Lipa, fituese e çmimeve Grammy dhe një prej yjeve më të ndjekura globalisht, është konsideruar prej vitesh ambasadore joformale e Kosovës në botë. Ajo ka promovuar vendin e saj në çdo dalje publike, duke përfshirë edhe skenat më të mëdha ndërkombëtare si Brit Awards, Grammy Awards apo festivalin Glastonbury.
Ky vendim vjen si një shenjë falënderimi institucionale për ndikimin e jashtëzakonshëm që ajo ka pasur në ngritjen e imazhit ndërkombëtar të Kosovës.
© SYRI.net