Continental Strategy: Non-grata për Berishën ishte hakmarrje politike, jo drejtësi

Continental Strategy: Non-grata për Berishën ishte hakmarrje politike, jo drejtësi

21:25, 31/07/2025

Kërkohet heqja e shpalljes non grata për Sali Berishën — Continental Strategy: Vendim i padrejtë dhe politik, dëmtoi besueshmërinë e SHBA-së në rajon

 

Kompania amerikane Continental Strategy, e kontraktuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për heqjen e menjëhershme të shpalljes “non grata” ndaj liderit historik të demokratëve, Sali Berisha. Në letrën e saj, kompania thekson se vendimi i vitit 2021 ndaj Berishës është i pambështetur në fakte, thellësisht i motivuar politikisht dhe ka shërbyer si instrument për eliminimin e zërave të fortë opozitarë në Shqipëri.

 

“Shpallja sipas nenit 7031(c) e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ishte e motivuar politikisht, pa bazë faktike, dëmtoi interesat e politikës së jashtme të SHBA-së dhe kontribuoi në përkeqësimin e situatës në Shqipëri, që sot kritikët e përshkruajnë si një ‘shtet-narkotik’”, thuhet në dokumentin drejtuar DASH.

 

Continental Strategy ngre shqetësimin se ky vendim i padrejtë ndaj Berishës jo vetëm që ka cenuar figurën e një prej liderëve më të rëndësishëm në historinë e tranzicionit shqiptar, por gjithashtu ka dobësuar besimin e popullit shqiptar dhe të rajonit ndaj rolit të SHBA-së si faktor neutral dhe garant i demokracisë.

 

“Ndërsa demokracia në Shqipëri është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk është më një figurë aktive politike, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë amerikane në rajon,” thekson më tej kërkesa.

 

Në dokument përmendet edhe tendenca e administratës Biden për të përdorur sanksionet në mënyrë selektive, me mbi 300 shpallje në katër vite, shumë prej të cilave i janë vendosur edhe qeverive mike të SHBA-së. Megjithatë, kritikohet shmangia sistematike e regjimeve të majta që, ndonëse të akuzuara për korrupsion, nuk janë prekur nga sanksione të ngjashme.

 

Sali Berisha, lideri që solli pluralizmin në Shqipëri dhe drejtuesi i parë i zgjedhur në mënyrë të lirë në vend, u shpall non grata nga SHBA më 19 maj 2021, një vendim i cilësuar nga vetë ai si hakmarrje politike me regji të brendshme dhe ndërkombëtare. Berisha paditi në Francë ish-sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke e akuzuar për shpifje, ndërkohë që ka deklaruar publikisht se ky vendim është rezultat i një fushate shpifëse të ushqyer nga Edi Rama.

 

Sot, kërkesa për rivlerësimin e këtij vendimi nuk është thjesht në mbrojtje të Berishës, por në mbrojtje të të drejtës, dinjitetit dhe sovranitetit të opozitës shqiptare, e cila po lufton në kushte të pabarabarta ndaj një regjimi që po përqendron pushtetin dhe po zhbën standardet demokratike në vend.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco