Hajdari pas intervistimit akuzon Prokurorinë: Po shkelin ligjin, më vjen turp për veprimet e prokurorit

Hajdari pas intervistimit akuzon Prokurorinë: Po shkelin ligjin, më vjen turp për veprimet e prokurorit

14:00, 31/07/2025

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, përfundoi intervistimin në Prokurorinë Speciale të Kosovës në lidhje me hetimet për rezervat shtetërore, një çështje që u bë publike në gusht 2023, kur disa zyrtarë të ministrisë u arrestuan për dyshime për keqpërdorime.

Pas intervistimit, Hajdari reagoi ashpër ndaj mënyrës se si po zhvillohen hetimet, duke theksuar se ministria ka vepruar në përputhje me ligjin gjatë procesit të furnizimit me rezerva shtetërore në fillim të vitit 2022.

Ajo theksoi se asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervat e klasifikuara si sekrete pa një procedurë të qartë ligjore, sipas udhëzimeve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Informacioneve të Klasifikuara.

Sipas saj, Prokuroria Speciale bëri një gabim serioz duke dërguar dy policë hetues pa certifikatë sigurie, të cilët morën dokumentet brenda vetëm një ore në ministri.

“Ministria ka bërë blerjen e rezervave shtetërore në kohën kur ishim të pambrojtur, në shkurt 2022 dhe mars 2022. Për këtë proces jetik tani pyetem nga Prokuroria Speciale, por një pyetje vjen se a është ky proces i ligjshëm dhe si prokuroria hyri në ministri për të marrë dokumente të klasifikuara si sekret të rezervave shtetërore. Asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervën klasifikuar sekret pa një procedurë të qartë ligjore sipas udhëzime të AKI-së dhe Agjencisë për mbrojtje të klasifikuara. Ne si Ministri i kemi klasifikuar vendet sekret sipas Ligjit për mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara sipas nenit të rezervave shtetërore, por në realitet Prokuroria Speciale bëri një gabim si një hap të pamenduar mirë duke dërguar dy policë hetues pa certifikatë sigurie dhe duke marrë dokumentet brenda një orë në ministri. Këtë e ka konstatuar edhe Inspektorati Policor, me raportin informues që dy policët hetues shkuan në ministri pa certifikatë sigurie të nivelit sekret. Ky raport nga Inspektorati Policor, u dërgua edhe në Prokurorinë Speciale, për udhëzime dhe veprime të mëtejme ndaj këtyre dy policëve”, tha Hajdari.

Ajo shtoi se kjo është një shkelje e rëndë, pasi po autorizohen dhe lirohen nga përgjegjësia policët që nuk kishin të drejtë ligjore për të hyrë në dokumentet e klasifikuara.

Ministria ka inicuar edhe një hetim të pavarur nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit për këtë rast, duke kërkuar vlerësimin e konfliktit të interesit në veprimet e prokurorit Gashi.

“Në realitet, prokurori Gashi i cili po merret me këtë lëndë ka liruar nga përgjegjësia këta dy policë dhe vetë prokuroria po shkel ligjin. Prokurori Gashi vetë po autorizon dhe vetë po liron nga përgjegjësia policët e pacertifikuar me certifikate sigurie të nivelit sekret. Për më shumë, më vjen keq dhe turp se asnjëherë për këtë proces nuk është raportuar drejt. Më vjen turp edhe për veprimet e Gashit për shkeljen e ligjit. Për më shumë, ne si ministri kemi inicuar një hetim të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për të inciuar një hetim dhe për të ardhur në konstatim të kësaj shkeljeje të këtij konflikti të interesit, sepse e kemi te dokumentuar në raportin e Inspektoratit Policor në emailin e dokumentar, ku prokurori Gashi pranon konfliktin e interesit për të shqyrtuar këtë raport të IP-së, për më keq Prokuroria Speciale vetë i njëjti prokuror mbyll rastin. Unë e di që pas këtij hetimi nga Agjencia për Parandalimin e konfliktit ne do të përballemi në gjykatë”, deklaroi tutje Hajdari, transmeton EO.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco