Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se nëse vendimi nuk pezullohet sot, ZRrE do të mbahet mend si “armiku më i madh i ekonomisë në vend”.
Sipas saj, janë në rrezik mbi 140 mijë vende pune dhe një valë e re inflacioni për çdo produkt. Ajo ngre shqetësime për mungesë të transparencës dhe përgatitjes, duke theksuar se bizneset e përjashtuara ende nuk kanë marrë faturat për muajin qershor.
Bajrami kërkon hetim nga Prokuroria dhe akuzon se përfitues të kësaj skeme janë kompani të lidhura me interesa private e politike, përfshirë EFT-në e Vuk Hamoviqit dhe operatorë të tjerë me nga “dy punëtorë”. Ajo thekson se importi i energjisë në qershor është rritur për 800% krahasuar me majin dhe kërkon përgjigje nga ZRrE për këtë rritje drastike.
Reagimi:
Zyra e Rregullatorit për Energji, nëse sot nuk e pezullon vendimin për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji, do të hyjë në histori si armiku më i madh i ekonomisë në vend.
Janë në rrezik mbi 140 mijë vende pune dhe valë e re inflacionit për secilin produkt.
E kemi thënë që në fillimi: nuk ka treg të lirë, bizneset nuk janë të përgatitura, as institucionet, andaj bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar ende nuk i kanë faturat e muajit qershor.
Prokuroria nuk duhet të ketë pardon për bordin e ZRRE-së.
Nuk duhet të lejohet asnjëherë që njerëz që paguhen me para publike me punu për interesa private.
Le të tregojë ZRRE-ja si institucion mbikëqyrës:
• Pse bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar ende nuk i kanë faturat e muajit qershor?
• Pse importi i energjisë në qershor është rritur 800% krahasuar me muajin maj?
• Kush janë përfituesit e kësaj skeme?
Emrat tashmë dihen: EFT-ja e Vuk Hamoviqit, tregtarët tjerë me nga dy punëtorë, e tash e tutje në rrethin e përfituesëve pritet me hy edhe kompanitë e licensuara së voni nga ZRrE-ja që kanë lidhje të ngushta me politikën.
ZRrE po sakrifikon ekonominë, prodhimin vendor dhe 140 mijë vende pune për interesa mafioze.
Prokuroria, o sot, o kurrë! [⚖️]
© SYRI.net