Skandali me Rezervën Shtetërore, Rozeta Hajdari paraqitet sërish për intervistim në Prokurorinë Speciale

Skandali me Rezervën Shtetërore, Rozeta Hajdari paraqitet sërish për intervistim në Prokurorinë Speciale

11:35, 31/07/2025

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale. Intervistimi i saj po bëhet lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore, rast që po hetohet nga kjo prokurori, shkruan Reporteri.net.

Hajdari është parë duke hyrë në objektin e Prokurorisë me një dosje në dorë, teksa Specialja ende s’ka dalë me ndonjë deklaratë rreth intervistimit të saj.

Në gusht të vitit 2023, u arrestuan disa persona lidhur me këtë rast, në mesin e të cilëve edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të udhëhequr nga Hajdari.

Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.

Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo kishte akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, kishte deklaruar Kurti.

Lidhur me këtë rast është ftuar për intervistim edhe vetë Kurti, mirëpo ai ka refuzuar të shkojë në Prokurori, duke kërkuar që të intervistohet në Kryeministri.

Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e parë të Prokurorisë Speciale për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e kishte cilësuar këtë si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025, të cilat u mbajtën më 9 shkurt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco