Cakolli: Deputetët s’kanë vullnet për të zgjidhur ngërçin, shfaqja teatrale vazhdon me aktorët e njëjtë

Cakolli: Deputetët s’kanë vullnet për të zgjidhur ngërçin, shfaqja teatrale vazhdon me aktorët e njëjtë

11:58, 27/04/2025

Eugen Cakolli i KDI-së ka reaguar pas dështimit për herë të shtatë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se Kuvendi po tallet me qytetarët, shkruan Reporteri.net.

Sipas tij, deputetët s’kanë as ngutje e as vullnet për të zgjidhur këtë ngërç.

Tutje ai shkruan se shfaqja teatrale vazhdon me aktorët e njëjtë dhe rolet e njëjta.

Postimi i Cakollit:

Kuvendi vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët.

Edhe sot, një të dielë, një tjetër seancë për pesë minuta “punë” – pa asnjë ndryshim real. Me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin.

Në këtë cikël absurd, të gjithë e dinë se publiku është lodhur nga papërgjegjësia politike. Prandaj, kur të ketë vërtet vullnet për marrëveshje, ajo nuk do të ndodhë rastësisht në sallë e as papritur në ditën e seancës.

Nëse vjen marrëveshja, ajo do të paraprihet nga sinjale të qarta – deklarata të reja, ton tjetër, narrativë e ndryshuar – veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Qoftë për formimin e institucioneve, qoftë për shkuarjen në zgjedhje.

Deri atëherë, shfaqja teatrale vazhdon. Me aktorët e njëjtë, rolet e njëjta dhe një fund të njohur. Fatkeqësisht, edhe me spektatorë që ende presin fund tjetër – nga e njëjta kastë dhe i njëjti skenar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco