Një muaj protestë/ Televizioni publik gjerman: Edhe diaspora i bashkohet lëvizjes kundër Ramës

Një muaj protestë/ Televizioni publik gjerman: Edhe diaspora i bashkohet lëvizjes kundër Ramës

11:23, 29/06/2026

Televizioni publik gjerman, ARD, në programin informativ kryesor, Tagesschau i ka kushtuar sërish një hapësirë protestave në Shqipëri.

“Në Shqipëri, mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër qeverisë. I ashtuquajturi "Revolucioni i Flamingove" filloi një muaj më parë. Shkaku ishte një projekt ndërtimi shumë i diskutueshëm, në të cilin ishte i përfshirë dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Ndërkohë, protestat janë drejtuar edhe kundër kryeministrit socialist Edi Rama. Vazhdimisht po zhvillohen hetime për korrupsion ndaj njerëzve në rrethin e tij,” thekson televizioni gjerman.

Më poshtë është kronika e tyre e përgatitur nga kryeqyteti shqiptar:

“Tirana, mbrëmjen e djeshme.

Mijëra njerëz janë mbledhur.

"Revolucioni i Flamingove", siç e quajnë, ka katër javë që vazhdon pa ndërprerje.

Edhe shqiptarë të diasporës nga Gjermania, Anglia dhe Italia janë bashkuar së fundmi me demonstratat.

Mes tyre është edhe Eduard Kasa nga Dyseldorfi.

Pas një udhëtimi prej 48 orësh me makinë, ai ndodhet në mes të protestës.

"Unë besoj se kjo do të jetë Pranvera Shqiptare. Ky është fundi i një sistemi dhe një fillim i ri për Shqipërinë."

Shkëndija që ndezi protestat ishin flamingot.

Dhëndri i Trump, Jared Kushner, dëshiron të ndërtojë një marinë jahtesh dhe akomodime luksoze pranë një zone të mbrojtur natyrore.

Kur, në fund të muajit maj, gjatë natës u vendos një gardh në këtë parajsë natyrore, shpërthyen përplasje me policinë dhe me shërbimin privat të sigurisë.

Që prej asaj kohe, njerëzit nuk protestojnë më vetëm kundër shitjes së vendit të tyre.

Ata kërkojnë që të marrë fund korrupsioni dhe të gjitha problemet e tjera në qeverisje.

Ndërsa kryeministri Rama shkëlqen në arenën ndërkombëtare, brenda vendit akuzat ndaj tij po bëhen gjithnjë e më të forta.

Në rrethin e Ramës po zhvillohen hetime për korrupsion dhe pastrim parash.

Disa nga bashkëpunëtorët e tij ndodhen tashmë në burg.

Rama përpiqet ta minimizojë zemërimin e qytetarëve.

Ai thotë: "Sa herë që lind një krizë, qoftë edhe e vogël, shpërthen një entuziazëm kolektiv. Pa hezitim, të gjithë ndiejnë nevojën të marrin pjesë".

Edhe fjalimi i Eduard Kasës, i ardhur nga Dyseldorfi, u prit me shumë duartrokitje.

Ai thotë se tani është koha që brezi i ri i politikanëve të marrë drejtimin e vendit.

Protestuesit kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të dalin në demonstrata edhe në ditët në vijim”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco