KQZ pret përfundimin e afatit të ankesave, dy kandidatë për deputetë të PDK-së paralajmërojnë konferencë para PZAP-it

KQZ pret përfundimin e afatit të ankesave, dy kandidatë për deputetë të PDK-së paralajmërojnë konferencë para PZAP-it

10:11, 29/06/2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të afatit për paraqitjen e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të shpallura më 27 qershor 2026.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se afati për paraqitjen e ankesave përmbyllet sot, më 29 qershor, në orën 12:00.

Ai tha se, nëse nuk parashtrohet asnjë ankesë, KQZ është e gatshme të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe përmbylljen e procesit zgjedhor në këtë fazë.

“Nëse nuk do të ketë ankesa, KQZ është e gatshme për të proceduar me certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe përmbylljen e procesit zgjedhor sa i përket kësaj pjese. Ndërkaq, në rast se do të ketë ankesa, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime për KQZ-në dhe më pas do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershor”, tha Elezi.

Megjithatë, pak para përfundimit të afatit, nga Partia Demokratike e Kosovës është paralajmëruar një konferencë për media para Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas njoftimit, deputetët Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu do të mbajnë konferencë për media sot, më 29 qershor, në orën 11:00, para PZAP-it, duke lënë të kuptohet se mund të ketë zhvillime lidhur me procesin e ankesave ndaj rezultateve zgjedhore.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco