Babë e bijë në pranga për vrasjen e rëndë në Ferizaj – nëna si dëshmitare

Babë e bijë në pranga për vrasjen e rëndë në Ferizaj – nëna si dëshmitare

09:29, 29/06/2026

Një zhvillim i pazakontë ka shoqëruar hetimet për vrasjen e rëndë që tronditi Ferizajn mbrëmjen e së dielës, ku babë e bijë kanë përfunduar në ndalim nën dyshimin për përfshirje në krim.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë Muhamet Begisholli rreth 48 vjeç dhe vajza e tij Arjeta Roshaj rreth 24 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Viktimë në këtë rast është Florim Haxhidema (1994), i cili u gjet pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të objektit “Intercon C1”, në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj.

Sipas burimeve, viktima kishte një plagë në kokë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Pranë trupit të pajetë është gjetur edhe një pistoletë, e cila së bashku me një gëzhojë është sekuestruar për ekzaminime forenzike.

Sinjali mëson se banesa ku ndodhi ngjarja i përkiste Muhamet Begishollit. Në momentin e incidentit, sipas hetimeve, në banesë ndodheshin edhe bashkëshortja e tij Hanife Roshaj dhe vajza Arjeta Roshaj.

Burimet bëjnë të ditur se Arjeta Roshaj kishte pësuar gjithashtu lëndime trupore dhe është dërguar në Repartin e Psikiatrisë në QKUK, ndërsa edhe ndaj saj Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Ndërkohë, Hanife Roshaj, bashkëshortja e Muhamet Begishollit dhe nëna e Arjeta Roshajt, në këtë fazë të procedurës është trajtuar në cilësinë e dëshmitares dhe ende nuk është intervistuar.

Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i Florim Haxhidemës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco