Pas mbylljes së qendrave të votimit, ka filluar numërimi i votave të qytetarëve të Kosovës, të cilët shprehën vullnetin e tyre për të zgjedhur qeverinë e re.
Procesi zgjedhor ka filluar në orën 07:00 dhe ka përfunduar në orën 19:00.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.
Në orën 19 përfunduan zgjedhjet parlamentare në të cilat njëzetetetë subjekte politike me 1.280 kandidatë, garuan për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës.
Mbi 40 për qind e rreth dy milion votuesve të regjistruar hodhën votën e tyre në këto zgjedhje që pasuan një fushatë të rreptë të partive politike, të cilat për një muaj me radhë u zotuan për rritje pagash e pensionesh, përmirësim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe për të luftuar papunësinë në vendin më të varfër në Evropë.
Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.
Kujtojmë se sipas exit polle-ve të bëra publike, Lëvizja Vetëvendosje do të fitojë 42.3 për qind të votave të qytetarëve që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, Partia Demokratike e Kosovës do të mbetet partia e dytë me 21.3 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritjen më të madhe që nga zgjedhjet e vitit 2021, ku nga më pak se 13 për qind, kjo parti tani numëron 20.4 për qind të votave, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe grupe të tjera, 6.3 për qind të votave.
© SYRI.net