Qytetarët e Kosovës në diasporë kanë votuar në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në një konferencë për media, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, dje ka dhënë detaje nga procesi i votimit deri në orën 19:00 dhe mbyllja e vendvotimeve në disa shtete.
“Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar paraprakisht për të votuar në këto përfaqësi dhe nga të dhënat që kemi për pjesëmarrjen deri në orën 15:00 në SHBA dhe Kanada ju njoftojmë se në këtë proces zgjedhor kanë votuar 14 mijë e 463 votues apo 71.16 për qind. Më vonë mund të kemi të dhëna më të përgjithshme nga pjesëmarrja e votimit në përfaqësitë diplomatike pasi të përfundojë votimi edhe në këto dy shtete ”, tha Radoniqi.
Ai ka thënë se procesi i votimit ka shkuar në rregull dhe se rezultatet do të dihen më së largu ditën e hënë.
“Nuk është paraqitur asnjë parregullsi. I tërë procesi ka shkuar sipas planifikimit dhe pa asnjë problem… Fillimisht do të sigurohen në këtë ndërtesë dhe pasi të përfundojë fillimi i numërimit të nesërm, atëherë fillon numërimi i votave të diasporës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Radoniqi.
Ai në emër të KQZ-së ka ftuar shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetues për të marrë pjesë në zgjedhje dhe ftoi subjektet politike që të sillen konform ligjeve në fuqi.
No Downloads Needed for Fun [Play]plsweKujtojmë, për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 qytetarë.
Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërsa në Kanada dhe SHBA në orën 13:00, me kohën lokale të Kosovës.
Procesi mbahet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës në 19 shtete: Austri, Belgjikë, Britani e Madhe, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Maqedoni e Veriut, Norvegji, SHBA, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.
Kjo është hera e parë që diaspora voton fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
© SYRI.net