Mes kritikave të Kurtit, kryeprokurori Isufaj mban konferencë për media

Mes kritikave të Kurtit, kryeprokurori Isufaj mban konferencë për media

09:23, 30/12/2024

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, do të mbajë sot një konferencë për media, e cila do të fillojë në ora 13:00 në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Megjithatë, tema e diskutimit nuk është bërë e ditur në njoftimin zyrtar.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, do të mbajë konferencë për medie. (Objekti i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, rr. “Luan Haradinaj”)”, thuhet në njoftim. 

Teksa vlen të ceket që kritikat ndaj Speciales dhe kryeprokurorit Isufaj janë intensifikuar nga kryeministri Albin Kurti dhe partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.

Kurti ka refuzuar t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë Speciale për t’u intervistuar si dëshmitar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.

Së fundmi, respektivisht të dielën Kurti akuzoi kryeprokurorin Isufaj se po inskenon një situatë për ta kthyer intervistimin e tij në një lajm ndërkombëtar.

Kurti refuzon të shkojë në Prokurori: Qëllimi i tyre është të më bëjnë lajm ndërkombëtar

“Ky prokuror, Blerim Isufaj, është regjisori i një pamjeje ku unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri po intervistohet për një rast korrupsioni. Aty nuk thuhet që jam thirrur si dëshmitar. Ky është qëllimi i tyre”, ka dekalruar Kurti.

Kryeministri ka potencuar se nuk ndien asnjë detyrim për t’iu përgjigjur ftesës dhe se prokurorët mund të vijnë në zyrën e tij për ta intervistuar.

Ai ka theksuar se prokurorët po përpiqen të sulmojnë kabinetin e tij qeveritar dhe ministrat.

“Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme por më të butë se s’munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin që e nxorën me duar lidh prej BQK-së. Ua kanë mësy krejt ministrave tonë. Ata prokurorët kanë ardh në kryeministri dhe më herët, unë guxoj t’iu them s’po vijë, ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”, ka shtuar Kurti.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se i ka dërguar dy ftesa Kryeministrit për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Ndërkohë, kabineti i kryeministrit ka ritheksuar gatishmërinë e tij që t’i mirëpresë prokurorët në zyrën e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco