E ardhmja e Romelu Lukakut te Napoli duket gjithnjë e më larg.
Agjenti i sulmuesit belg, Federico Pastorello, ka konfirmuar se bashkëpunimi mes palëve është drejt fundit, duke përjashtuar mundësinë që klienti i tij të pranojë një rol dytësor në skuadrën italiane.
Në një prononcim për Sky Sport, Pastorello ishte i prerë, duke theksuar se Lukaku nuk mund të jetë zëvendësuesi i Rasmus Hojlund, ndërsa Napoli ka në dispozicion edhe Lorenzo Luccën.
"Romelu është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe e ka treguar këtë gjatë gjithë karrierës. Ai është një nga sulmuesit më produktivë në botë dhe nuk mund të pranojë të jetë zgjedhja e dytë", deklaroi agjenti.
Një tjetër pengesë për Napolin mbetet edhe paga e lartë e sulmuesit belg. Lukaku përfiton rreth 6 milionë euro neto në sezon, me kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, çka e bën edhe më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje.
Pastorello shtoi se lojtari nuk dëshiron të qëndrojë në një klub ku nuk ndihet i rëndësishëm, ndërsa theksoi se merkatoja e sulmuesve është aktualisht e bllokuar dhe pritet vetëm "efekti domino" i transferimeve të mëdha për të zhbllokuar situatën.
Tashmë gjithçka lë të kuptohet se aventura e Lukakut te Napoli është drejt fundit, ndërsa klubet e interesuara presin zhvillimet e merkatos për të bërë lëvizjen e tyre.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: