Italia është tronditur nga vrasja e gazetarit sportiv, Luca Esposito, emri i vërtetë i të cilit ishte Luigi Esposito, 53 vjeç. Trupi i tij i karbonizuar u zbulua në një zonë bujqësore në provincën e Salernos, ndërsa autoritetet dyshojnë se ai u ekzekutua me armë zjarri përpara se t'i vihej flaka.
Sipas hetimeve paraprake, karabinierët kanë gjetur gëzhoja në vendngjarje, çka përforcon dyshimet se gazetari është qëlluar me pistoletë dhe më pas është djegur mes bimësisë. Flakët u përhapën në zonë, duke detyruar ndërhyrjen e zjarrfikësve, të cilët gjatë shuarjes së zjarrit zbuluan trupin. Për shkak të djegieve të rënda, në fillim nuk ishte e mundur të përcaktohej as gjinia e viktimës.
Hetimet morën një kthesë pasi u gjet automjeti i Espositos dhe u konstatua se ai ishte zhdukur. Prokuroria e Salernos, nën drejtimin e Raffaele Cantone-s, po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Luca Esposito ishte një emër i njohur në gazetarinë sportive italiane. Ai bashkëpunonte me të përditshmen La Città di Salerno, televizionin Otto Channel dhe drejtonte portalin Tuttosalernitana.com. Edhe pse emri i tij në dokumente ishte Luigi, ai njihej prej vitesh si Luca dhe me këtë emër firmoste artikujt dhe komentet televizive.
I diplomuar në Biologji dhe më pas edhe në Letërsi, Esposito ishte i njohur për karakterin e tij të drejtpërdrejtë dhe mbrojtjen pa kompromis të ideve, veçanërisht në debatet sportive.
Drejtori i Otto Channel, Pierluigi Melillo, e përshkroi Espositon si "një opinionist të guximshëm, ndonjëherë të pakëndshëm për të tjerët, por kurrë banal", duke shprehur tronditjen për mënyrën brutale të vrasjes dhe duke kërkuar që autorët të vihen sa më shpejt përpara drejtësisë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: