Kukësi ka arritur të sigurojë qëndrimin në Kategorinë e Parë pas triumfit në një përballje të veçantë play-out ndaj Butrintit, ndeshje që u organizua për të përcaktuar skuadrën që do të plotësonte vendin e mbetur vakant në kategori.
Të dyja skuadrat kishin humbur më herët ndaj Bylisit B në sfidat e play-out-it, por rënia e ekipit të parë të Bylisit në Kategorinë e Parë ndryshoi skenarin dhe detyroi zhvillimin e një dueli shtesë mes Kukësit dhe Butrintit.
Takimi rezultoi shumë i luftuar dhe i mbushur me tension. Kukësi gjeti avantazhin në pjesën e parë falë golit të Alison, duke mbyllur 45 minutat e para në epërsi minimale. Vetëm pak çaste pas nisjes së pjesës së dytë, Tajo realizoi golin e dytë, që i dha një goditje të fortë shpresave të Butrintit.
Skuadra sarandjote provoi të rikthehej në lojë dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës për të rihapur sfidën. Kukësi administroi mirë avantazhin deri në fund dhe festoi mbijetesën në Kategorinë e Parë.
Në anën tjetër, Butrinti rikthehet në Kategorinë e Dytë, aty ku do të kërkojë sezonin e ardhshëm një tjetër mundësi për t’u ngjitur sërish mes skuadrave profesioniste.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: