Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka shprehur kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen e Iranit në Kupën e Botës 2026, duke theksuar se organizata që ai drejton ka punuar fort për ta bërë të mundur këtë.
Në konferencën për shtyp të zhvilluar në prag të nisjes së Botërorit 2026, Infantino deklaroi se ishte krenar për punën e bërë nga FIFA në një situatë që, sipas tij, u shoqërua me rrethana të veçanta dhe sfida të shumta.
“Jam i lumtur që Irani është këtu në Kupën e Botës dhe krenar për punën e bërë nga ekipi i FIFA-s që kjo të ishte e mundur. Na është dashur të përballemi me rrethana të veçanta, mbi të cilat nuk kishim asnjë ndikim”, tha kreu i futbollit botëror.
Infantino kujtoi gjithashtu një vizitë të tij te kombëtarja iraniane në muajt e fundit, kur kishte dëgjuar dyshime për pjesëmarrjen e ekipit në turne.
“Kur shkova të takoja kombëtaren iraniane në Antalya, dikush më tha se ata nuk do të mund të vinin në Kupën e Botës. Unë iu përgjigja se ishin kualifikuar dhe se do të vinin. Dhe kështu ndodhi”, u shpreh ai.
Presidenti i FIFA-s përdori edhe një shprehje simbolike për të përshkruar vendosmërinë e tij në këtë çështje.
“Isha gati të drejtoja personalisht autobusin nga Teherani, por nuk ishte e nevojshme. Ata e drejtuan vetë”, tha Infantino me humor.
Deklarata e tij vjen në një moment kur pjesëmarrja e Iranit në Botërorin 2026 ka qenë objekt diskutimesh për shkak të situatave jashtë fushës së lojës. Megjithatë, kombëtarja iraniane është tashmë pjesë e turneut dhe do të kërkojë të bëjë paraqitje dinjitoze në skenën më të madhe të futbollit botëror.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: