Një tjetër debat ka shpërthyer në prag të Kupës së Botës 2026, këtë herë jo për fushën e lojës, por për kushtet e akomodimit të skuadrave. Trajneri i Holandës, Ronald Koeman, ka shprehur publikisht pakënaqësinë e tij për hotelin ku do të vendoset ekipi gjatë fazës së parë të turneut.
Sipas Koeman, hotelet me katër ‘yje’ të caktuara për përfaqësuesen holandeze nuk janë në nivelin e pritshëm për një kompeticion të tillë madhor. Pakënaqësia e tij u bë e qartë pas qëndrimit të ekipit në një hotel në New York City, i përdorur gjatë përgatitjeve për miqësoren ndaj Uzbekistanit, ku trajneri nuk e fshehu zhgënjimin.
“Le të themi se mund të ishte bërë më mirë,” u shpreh Koeman në konferencë për shtyp, duke lënë të kuptohet se kushtet nuk kanë qenë të kënaqshme.
Situata u tensionua edhe më shumë kur delegacioni holandez mbërriti në Kansas City, ku do të zhvillohet përgatitja për ndeshjen e parë kundër Japonisë. Pasi pa se edhe aty ishte planifikuar një hotel me katër yje, Hotel Cascade, Koeman vendosi të anulojë stërvitjen e planifikuar për atë ditë, në shenjë pakënaqësie.
Holanda nuk është e vetmja përfaqësuese që është vendosur në hotele të këtij niveli. Në Kansas, edhe Anglia dhe Argjentina do të akomodohen në struktura me katër yje. Sipas medieve italiane, këto zgjedhje janë rekomanduar nga FIFA, e cila ka ndihmuar gjithashtu në organizimin e bazave stërvitore.
Në të kundërt, disa nga favoritët kanë siguruar kushte më luksoze. Franca është vendosur në një hotel Four Seasons në Boston, ndërsa Brazili ndodhet në Ridge Hotel në New York. Ndërkohë, Zvicra ka zgjedhur një resort luksoz në San Diego.
Sa i përket Portugalisë, ajo do të qëndrojë në Palm Beach, një zonë e qetë në Florida, pranë rezidencave të milionerëve dhe jo shumë larg Mar-a-Lago, rezidenca e presidentit amerikan, Donald Trump.
Debati për kushtet e akomodimit pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke shtuar një tjetër element tensioni në prag të turneut më të madh të futbollit botëror.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: