Për të mos ndryshuar zakonet ushqimore të futbollistëve gjatë Kupës së Botës 2026, Norvegjia ka organizuar një operacion të veçantë logjistik në Shtetet e Bashkuara. Sipas të përditshmes norvegjeze VG, trajneri i kombëtares, Ståle Solbakken, së bashku me stafin e tij, kanë vendosur të transportojnë sasi të mëdha produktesh ushqimore tipike direkt nga Skandinavia.
Në qendrën stërvitore të ekipit, e ngritur në Greensboro, janë dërguar rreth 300 kilogramë peshk, 116 kilogramë djathë dhe plot 6.000 portokaj. Qëllimi është që lojtarët të vazhdojnë të ushqehen sa më afër mënyrës së tyre të zakonshme në Norvegji, duke shmangur ndryshimet që mund të ndikojnë në performancën e tyre gjatë turneut.
Përveç produkteve ushqimore, federata norvegjeze ka sjellë në SHBA edhe tre kuzhinierë të njohur të gastronomisë skandinave: Aaron Espeland, Eirik Tufte dhe Christian Karlsson. Ata do të kujdesen çdo ditë për përgatitjen e vakteve tradicionale për Erling Haaland-in dhe pjesën tjetër të skuadrës.
Norvegjia është pjesë e Grupit I në Kupën e Botës dhe do ta nisë aventurën e saj kundër Iraku. Më pas do të përballet me Senegalin, ndërsa ndeshja më e shumëpritur e grupit do të jetë ajo ndaj Francës, e drejtuar nga Didier Deschamps, e planifikuar për më 26 qershor.
Sa u përket përgatitjeve sportive, “Vikingët” e mbyllën fazën përgatitore me rezultate të ndryshme. Pas fitores 3-1 ndaj Suedisë, norvegjezët barazuan 1-1 me Marokun në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Harrison. Në atë takim, Norvegjia hasi vështirësi gjatë pjesës së parë, por arriti të përmirësohej pas pushimit falë ndryshimeve të shumta të kryera nga të dy trajnerët.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: