LeBron James është shpallur “atleti i shekullit të 21-të” nga revista prestigjioze amerikane ‘TIME’, në një renditje që ka mbledhur disa nga emrat më të mëdhenj të sportit botëror.
‘Ylli’ i Los Angeles Lakers, katër herë kampion i NBA-së dhe ende aktiv në moshën 41-vjeçare, është vlerësuar për ndikimin e tij të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë fushës së lojës.
Në listën e publikuar nga ‘Time’ janë përfshirë edhe sportistë të tjerë të njohur si Jannik Sinner, Andrea Kimi Antonelli, Lionel Messi, Carlos Alcaraz, Armand Duplantis dhe Tadej Pogačar.
Redaktori i revistës, Sam Jacobs, shpjegoi arsyet e zgjedhjes së LeBronit, duke theksuar se vlerësimi nuk bazohet vetëm në sukseset sportive, por edhe në ndikimin e tij shoqëror dhe kulturor. Sipas tij, James ka ndryshuar mënyrën se si perceptohet një sportist profesionist, duke vendosur standarde të reja për brezat e ardhshëm.
Në intervistën e publikuar nga Time, LeBron foli edhe për të ardhmen e tij në basketboll, duke lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të karrierës për aq kohë sa ndihet fizikisht dhe mendërisht i aftë për të luajtur në nivel të lartë. Ai theksoi se nuk dëshiron të vazhdojë vetëm për hir të emrit, por për sa kohë mund të garojë me pasion.
Gjithashtu, ai u ndal edhe te debati i përhershëm për “GOAT” në NBA, krahasimi me Michael Jordan, duke thënë se çdo brez ka preferencat e veta dhe se ai fokusohet në rrugëtimin e tij personal.
LeBron foli edhe për fëmijërinë e tij të vështirë në Akron, duke theksuar se sfidat familjare dhe kushtet e vështira e kanë motivuar të arrijë majat e sportit botëror.
Në fund, ‘Time’ e përshkroi LeBron James si një figurë që ka ndikuar jo vetëm në basketboll, por në gjithë kulturën sportive globale, duke e konsoliduar statusin e tij si një nga sportistët më të mëdhenj të historisë moderne.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: