Carlo Ancelotti ka festuar sot 67-vjetorin e lindjes në grumbullimin e Brazili, në një atmosferë të ngrohtë dhe festive vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës 2026.
Trajneri italian, i cili drejton përfaqësuesen braziliane, u surprizua nga lojtarët e tij gjatë fillimit të stërvitjes, ku u prit me duartrokitje ndërsa kalonte nëpër “korridorin” e formuar nga skuadra “verdeoro”. Atmosfera në kampin brazilian është e qetë dhe pozitive, siç është bërë tashmë traditë për këtë kombëtare.
Brazili do ta nisë aventurën e tij në Botërorin 2026 pas tri ditësh, në ndeshjen ndaj Marokut, në New York City. Takimi është programuar të zhvillohet në orët e para të mëngjesit sipas orës europiane, në natën mes të shtunës dhe të dielës. Në të njëjtin grup ndodhen edhe Haiti dhe Skocia.
Për Ancelottin, kjo do të jetë Kupa e parë e Botës si trajner i një kombëtareje, një moment historik në karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme. Në vitin 1994, ai ishte pjesë e stafit teknik të Arrigo Sacchi-t me Italinë, e cila në finale humbi pikërisht ndaj Brazilit pas penalltive.
Me kualifikimin direkt nga zona e Amerikës së Jugut, Brazili vjen në këtë Botëror si një nga favoritët kryesorë, ndërsa atmosfera rreth ekipit tregon harmoninë dhe besimin që mbizotëron në grupin e drejtuar nga Ancelotti.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: