Amedspor ka bërë një hap historik duke emëruar trajner të ri Besnik Hasin, i cili ka firmosur kontratë dyvjeçare me klubin që për herë të parë do të garojë në Süper Lig.
Klubi nga Diyarbakiri e konfirmoi marrëveshjen përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, duke i uruar mirëseardhje trajnerit me mesazhe në disa gjuhë. Presidenti i klubit, Nahit Eren, bëri të ditur se Hasi do të udhëheqë projektin e ri sportiv për dy sezonet e ardhshme.
Në prezantimin e tij, Hasi u shpreh i bindur për zgjedhjen e bërë, duke theksuar se ndodhet në vendin dhe projektin e duhur për karrierën e tij.
“E di që jam në vendin e duhur. Në të kaluarën kam pasur edhe eksperienca ku nuk kam qenë në projektin e duhur, por këtë herë jam i bindur se jam në një projekt të drejtë dhe ambicioz,” deklaroi ai.
Trajneri 54-vjeçar theksoi se synimi i tij është të ndërtojë një ekip konkurrues që luan futboll ofensiv dhe me intensitet të lartë, duke marrë frymëzim edhe nga tifozët e Amedspor-it, të cilët i vlerësoi për pasionin e tyre.
“Ata duan futboll ofensiv dhe unë do të bëj maksimumin për t’ua dhënë këtë. Do të punojmë për të ndërtuar një ekip të fortë, me disiplinë dhe karakter,” shtoi Hasi.
Nga ana e tij, presidenti Nahit Eren konfirmoi se klubi po punon për merkato të rëndësishme dhe se transferimet do të bëhen në bashkëpunim të ngushtë me trajnerin, sipas filozofisë së tij të lojës.
Për Amedspor, ky emërim është historik, pasi Hasi bëhet trajneri i parë i huaj në historinë e klubit.
I lindur në Gjakovë në vitin 1971, Besnik Hasi ka pasur një karrierë të gjatë si futbollist dhe trajner, duke drejtuar më parë klube si Anderlecht, Olympiakos dhe Legia Varshava, mes të tjerash.
Me këtë marrëveshje, Amedspor synon të nisë një epokë të re në elitën e futbollit turk, me ambicie të qarta për të ndërtuar një ekip konkurrues që në sezonin e parë në Süper Lig.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: