Legjenda suedeze Zlatan Ibrahimovic ka bërë një deklaratë të fortë për Erling Haalandin, duke insistuar se sulmuesi norvegjez ende nuk ka arritur nivelin që ai kishte gjatë karrierës së tij.
Ibrahimovic, i cili po punon si analist gjatë Kupës së Botës 2026 për Fox Sports, u pyet nëse ylli i Manchester Cityt ka kaluar tashmë nivelin e tij si sulmues.
Përgjigjja e suedezit ishte e menjëhershme dhe pa asnjë hezitim.
“Nuk jam i sigurt për këtë. Ai duhet të bëjë shumë më tepër për të arritur ‘fenomenin e natyrës’”, deklaroi Ibrahimovic.
Ish-sulmuesi i Milanit, Interit, Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit vlerësoi aftësinë e Haalandit për të shënuar gola, por theksoi se ai ishte një futbollist më i kompletuar.
“Ai shënon gola dhe është vrasës brenda zonës, por unë isha më i gjithanshëm. Më pëlqente të luaja me topin. Ai është inteligjent dhe bën atë që duhet të bëjë, por nuk bën më shumë se kaq”, shtoi suedezi.
Ibrahimovic kujtoi edhe një intervistë të Haalandit, ku norvegjezi kishte thënë se ëndrra e tij ishte të prekte topin dy herë dhe të shënonte dy gola.
“Unë do të ëndërroja të prekja topin dy herë dhe të shënoja tre gola”, tha me humor 44-vjeçari.
Ndërkohë, Haalandi do të nisë aventurën e tij në Kupën e Botës 2026 me Norvegjinë në ndeshjen kundër Irakut, ndërsa në grup do të përballet edhe me Senegalin dhe Francën.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: