Anthony Gordon tashmë ka mbërritur në Barcelonë. Përforcimi i parë i Barcelonës për sezonin 2026-2027 ka zbritur në aeroportin “El Prat” për të finalizuar transferimin te katalanasit. Destinacioni i tij i parë ishte Spitali i Barcelonës, ku do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore të planifikuara për orën katër të pasdites. Mjeku përgjegjës i ekipit të parë, Ricard Pruna, mbërriti më pas për të mbikëqyrur kontrollet.
Menjëherë pas daljes nga terminali privat, lojtari i Newcastle-it u afrua te gazetarët për t’i përshëndetur nga larg dhe deklaroi shkurt për mediet: “Jam shumë i lumtur”. Gordon do të flasë më gjerësisht nesër, kur operacioni të zyrtarizohet dhe ai të paraqitet para mediave të klubit.
Futbollisti udhëtoi me një avion privat së bashku me agjentin e tij, Adam Dugdale. Fluturimi pati një vonesë prej një ore e gjysmë, gjë që ndikoi edhe në programin e tij. Pasi të marrë dritën jeshile nga stafi mjekësor, Barcelona do të mbyllë transferimin me Newcastle-in. Operacioni kap vlerën e 70 milionë eurove plus 10 milionë të tjera në formë bonusesh, në varësi të paraqitjeve dhe trofeve të fituar. Lojtari do të firmosë një kontratë pesëvjeçare.
Gordon, një nga surprizat më të mëdha të sezonit dhe një lojtar shumë i vlerësuar nga trajneri Hansi Flick, do të rikthehet menjëherë në Angli për t’u grumbulluar me kombëtaren angleze, ku do të konkurrojë me Marcus Rashford. Para largimit, ai do të hedhë firmën mbi kontratë, megjithëse prezantimi zyrtar nuk do të bëhet tani. Synimi i klubit është që prezantimi të zhvillohet pas Kupës së Botës.
Drejtori sportiv Deco dhe koordinatori i sekretarisë teknike Bojan kishin zhvilluar ditët e fundit një takim në Angli me agjentin dhe vetë lojtarin për të përcaktuar kohëzgjatjen e kontratës dhe pagën.
🚨 Anthony Gordon, visto en el aeropuerto de Barcelona 👀✈️ @A_SeguraJ pic.twitter.com/HnOzv2Wh0V
— MARCA (@marca) May 28, 2026
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: