Ish-trajneri legjendar i Arsenalit, Arsene Wenger, ka rikujtuar finalen dramatike të Champions League 2006 ndaj Barcelonës, një nga humbjet më të dhimbshme të karrierës së tij.
Në një intervistë për “The Sun”, tekniku francez zbuloi një detaj interesant organizativ që sipas tij ndikoi te skuadra londineze para ndeshjes së zhvilluar në “Stade de France”.
“Arritëm në stadium vetëm 45 minuta para fillimit të finales, sepse nuk na u lejua të përdornim autostradën për të shkuar atje. Kjo rriti tensionin para ndeshjes”, deklaroi Wenger.
Ai u ndal edhe te momenti që ndryshoi fatin e finales, kartoni i kuq i portierit Jens Lehmann në minutat e para të takimit.
“Forca jonë më e madhe ishte se luajtëm për 70 minuta me dhjetë lojtarë”, tha ish-trajneri i Arsenalit.
Pavarësisht inferioritetit numerik, londinezët kaluan të parët në avantazh dhe ishin pranë surprizës së madhe.
“Ishim 1-0 përpara dhe patëm raste për të shënuar golin e dytë, por nuk i shfrytëzuam. Në fund humbëm 2-1 ndaj një skuadre të madhe”, shtoi Wenger.
Finalja e Parisit mbetet ende një plagë e hapur për Arsenalin, i cili ishte shumë pranë fitimit të trofeut të parë të Champions League në historinë e klubit.
Për shumë tifozë të “Topçinjve”, ajo mbrëmje vazhdon të konsiderohet si mundësia më e madhe e humbur në arenën europiane.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: