Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka mbushur me elozhe Arsenalin dhe trajnerin Mikel Arteta në prag të finales së madhe të Champions League.
Në një intervistë për UEFA-n, tekniku spanjoll deklaroi se Arsenali është ndërtuar sipas filozofisë së Pep Guardiolës dhe se “Topçinjtë” janë aktualisht skuadra më e fortë në mbrojtje në Europë.
“Arsenali është ndërtuar me imazhin e trajnerit të tij. Mikel Arteta ka nisur nga ideologjia e futbollit të Pep Guardiolës, e bazuar te posedimi i topit. Janë jashtëzakonisht konkurrues dhe reflektojnë perfekt personalitetin e trajnerit”, deklaroi Enrique.
Sipas trajnerit të PSG-së, londinezët kanë një ekuilibër të rrallë mes sulmit dhe mbrojtjes, duke mos u varur nga një lojtar i vetëm.
“Janë skuadra më e mirë në mbrojtje në Europë prej disa vitesh. Shënojnë shumë nga goditjet standarde dhe pësojnë shumë pak gola. Disa mund të thonë se nuk shënojnë gjithmonë nga aksione kolektive, por a ka rëndësi kjo? Tifozët e Arsenalit janë shumë të lumtur, sidomos pas fitimit të Premier League”, shtoi ai.
Luis Enrique theksoi se PSG-ja dhe Arsenali kanë filozofi të ngjashme loje, pasi të dyja skuadrat kërkojnë posedimin dhe kontrollin e ndeshjes.
“Mendoj se po flasim për dy skuadra të mëdha, së bashku me Bayern Munich ndoshta tri më të mirat në Europë. Për t’i mposhtur duhet të përshtatemi dhe të bëjmë gjëra ndryshe nga zakonisht”, u shpreh ai.
Në fund, Enrique krahasoi këtë finale me atë të fituar sezonin e kaluar ndaj Interit, duke pranuar se atëherë kishte më shumë presion mbi PSG-në.
“Këtë herë presioni ekziston ende, por vjen nga bindja se e meritojmë të jemi këtu për rrugëtimin që kemi bërë”, përfundoi trajneri spanjoll.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: